Prej ditësh në disa media qarkullon lajmi se 200 punonjës që shkojnë për të punuar në bizneset e tyre në Gadishullin e Karaburunit protesojnë pasi nuk lejohen që të hyjnë e dalin orar e pa orar përmes bazës detare të Pashalimanit, për të shkuar në vendin e tyre të punës.

Burime nga baza detare bënë të ditur për Lexo.al se për vite të tëra kompanitë e peshkimit por edhe individë e kanë shfrytëzuar, bazën ushtarake si rrugë kalimi për të shkuar në Karaburun, zonë e cila cilësohet si pikë e nxehtë vecanërisht për cështjen e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, sipas rregullores së aplikuar në Pashaliman prej vitesh, orari i lëvizjes për qytetarët apo peshkatarë e punonjës peshkimi ka qenë 8.00 deri në ora 17.00.

“Lejet për vizitorët që vizitojnë parkun e Orikut, si edhe për individët dhe subjeket private që ushtrojnë aktivitetin në zonën e Karaburunit jepen gjatë ditëve të javës.

Në përiudhën e verës ( 1 Qershor-15 shtator) nga ora 08:00-20:00 dhe në periudhën e dimrit ( 16 shtator – 31 maj ) 08:00-17:00. Për rastet e vecanta kjo pasqyrohet në autorizimin e hyrjes”.- thuhet në rregulloren e bazës ushtarake.

Në shumë raste, ky orar nuk respektohet nga kompanitë e peshkimit e shpesh punonjësit e saj kërkojnë të hyjnë dhe dalin në orare jashtë rregullores, duke mos respektuar kështu oraret e vendosura.

Në funksion të sigurisë së bazës detare më të madhe në vend, lëvizja përmes saj nuk lejohet jashtë orarit të përcaktuar, fakt për të cilin drejtuesit e kompanive të peshkimit janë informuar.

Sakaq, përfaqësues të Forcës Detare pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillojnë një takim me punonjësit për tu bërë edhe njëherë me dije rregulloren e lëvizjes brenda një baze ushtarake.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re