Skip to content

Prezantimi i draftit të Kodit të ri Penal, Zaçaj: Ligji penal duhet të jetë parzmore për qytetarin, jo shpata e shtetit

Gjatë prezantimit të ndryshimeve në Kodin e ri Penal, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, theksoi se reforma penale nuk është vetëm një akt teknik, por një provë morale dhe kushtetuese për shtetin shqiptar.

“Kodi Penal është gramatika morale e shtetit dhe pasqyra e ndërgjegjes kombëtare,” – deklaroi ajo, duke shtuar se drejtësia duhet të ushtrohet me dinjitet dhe proporcionalitet, jo me frikë apo hakmarrje.

Znj. Zaçaj theksoi se Kodi nuk duhet të shërbejë si mjet i pushtetit, por si mburojë për të drejtat e qytetarëve, duke përmendur nevojën për respektimin e të drejtave individuale dhe për ndërtimin e një drejtësie humane dhe të paanshme.

Ajo solli në vëmendje rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e rendit juridik, duke përmendur vendime të rëndësishme si: shfuqizimi i dënimit me vdekje, mbrojtja e lirisë së shprehjes, privatësisë dhe ndalimi i sanksioneve të paqarta.

Duke përgëzuar Ministrinë e Drejtësisë për iniciativën, Zaçaj nënvizoi se ka ende boshllëqe ligjore që duhen adresuar, si rasti i testamentit në Kodin Civil, si dhe problematika sistemike që ndikojnë sigurinë juridike dhe aksesin në drejtësi.

“Nëse ky Kod do t’i shërbejë drejtësisë dhe jo forcës, atëherë kemi bërë një hap përpara si shoqëri,” – përfundoi Zaçaj, duke theksuar se kushtetutshmëria dhe dinjiteti njerëzor duhet të jenë udhërrëfyesit e çdo reforme penale.