Politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut i është shtuar forca e re politike e quajtur AlternAtivA, një vijim i projektit të Lëvizjes Besa, përçarë e mbetur vetëm me ish-kreun e saj Bilal Kasami.

E pothuajse i gjithë ish-lidershipi i Besës, me emrat më të njohur, përfaqsohen tashmë nga  AlternAtivA, një projekt politik që para sfidën e vështirë të rifaktorizimit, e të sfidimit të Besës së mbetur, duke e ç’faktorizuar këtë të fundit.

Paraqitja e parë publikë e saj ishte konventa promovuese e mbajtur në Shkup, ku u prezantuan anëtarët e kuvendit qendror të partisë, të cilët më herët kanë zgjedhur edhe kryesinë e re të partisë. Për kryetar të partisë AlnernAtivA është zgjedhur Afrim Gashi, i cili tha se kjo forcë është e hapur për të gjithë dhe se do të vazhdojë të komunikoj me të gjithë faktorët politikë brenda dhe jashtë vendit për të trasuar rrugën euro-atlantike të vendit.

“Tash e tutje ne, edhe si shtet, por edhe si komb, jemi në aleancën e sigurisë që fillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përfshin vendet e Bashkimin Evropian, vazhdon me mikun tonë të madh Republikën e Turqisë, për të përfunduar me amën dhe fqinjin tonë, Republikën e Shqipërisë”, tha Gashi.

Ndërkohë, nga ish-BESA dolu ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi, i cili tha se ndjehet krenar që i është dhënë mundësia që ta përfaqësojë AlternAtivA-n në ekzekutiv.

“Mendoj se me veprimet tona të përbashkëta, si në parlament ashtu edhe në ekzekutiv, i dhamë një ngjyrë të re jetës politike në vendin tonë. Besoni se ky do të jetë synimi jonë në vazhdimësi, transparenca, drejtësia dhe lufta që të gjithë të jemi të barabartë”, tha Ademi.

Pjesë të kryesisë qendrore të partisë AlternAtivA do të jenë nënkryetari Nexhbedin Kahremani, i cili lexoi deklaratën politike të partisë, ndërsa si  Sekretar të Përgjithshëm u emërua Skënder Rexhepi-Zejdi.

Ndër të pranishmit që ndoqën konventën ishin edhe koordinatori kombëtar për përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO dhe kandidat i koalicionit qeveritar për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministri paresor i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi dhe nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LDSM) dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kjo parti e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, përfaqësohet nga tre deputetë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re