Tani edhe zyrtare, trajneri veteran, Edoardo Reja është trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. Kështu thuajse një muaj nga largimi i Kristian Panuçit, presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka zgjedhur një tjetër italian për pasardhës.

Prej kohësh ishte përfolur emri i Rejës për stolin e kuqezinjve edhe pse ai ishte në stadium ndeshjen e humbur ndaj Turqisë.

Kontrata mes Rejës dhe Dukës është nënshkruar përpara kamerave dhe gazetarëve me afat deri në nëntor. Ishte më pas pikërisht presidenti Duka që bëri edhe prezantimin e teknikut të ri:

I uroj mirëseardhjen trajnerit të ri. Nuk është se ka nevojë për shumë prezantim, ju e njihni dhe i keni publikuar të dhënat e tij. E falënderoj që pranoi ofertën tonë. Padyshim që uroj që së bashku me stafin e tij të bëhet një punë e mirë dhe të kemi një paraqitje të mirë.

 

‘’Mendoj se kemi elementë cilësorë. Kemi lojtarë që luajnë në ekipe të mira. Kanë nevojë për motivim, për frymë grupi. Reja me eksperiencën që ka mundet t’ua japë motivimin dhe vendosjen në fushë“, tha Duka.

“Jemi takuar pas ndeshjes, patjetër i kam kërkuar një opinion. Shkëmbyem mendime sportive. Nuk e kam menduar atëherë, por pastaj lindi si ide. Kam qenë në Bolonja dhe jam takuar, është thënë në media. Ajo që më ka bindur më shumë është eksperienca e madhe dhe mënyra se si i ka trajtuar problemet në tavolinë. Por edhe njohja e lojtarëve tanë, jo vetëm të atyre që ishin në Shkodër”.

Ndërsa Reja shprehu kënaqësinë për këtë sipërmarrje të re duke përmendur edhe lidhjet e tij me futbollin shqiptar duke folur për Taren, Strakoshën, De Biazin, Tramxanin, Gjimshitin apo Panuçin:

 

“Shpresoj që të krijojmë një marrëdhënie të mirë. Edhe pse jam kërkues, ndërtoj marrëdhënie të mira. Falënderoj Dukën për vlerësim dhe ftesën. E kam parë ndeshjen me Turqinë. Ishte fati i keq që isha unë këtu duke parë lojtarë”.

Pse pranuat Shqipërinë? ‘’Sa i takon kontratës, është e vlefshme deri në fund të nëntor të vitit 2019. Më pas të shohim, duhet të shohim si shkojmë punët. Do shoh si funksionon, varet edhe nga rezultatet. Do vazhdojmë po ishin kushtet e duhura. E kam pranuar me kënaqësi ftesën”, tha mes të tjerash Reja.

I pashpjegueshëm ishte fakti se e gjithë intervista është bërë në italisht dhe trajneri i ri nuk e ka pasur një përkthyes me vete./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re