Një vit pas vdekjes së papritur të prezantuesit të BBC-së Michael Mosley, gruaja e tij, Claire, flet për të me emocion, duke thënë se “ndihem me fat që kam jetuar jetën time me të”, ndërsa përshkruan momentet e ankthit pas zhdukjes së tij dhe mobilizimin e madh për ta gjetur atë.

Ai e donte eksplorimin”, tha Claire për Daily Mail. “Ai ishte jokonvencional, inteligjent, paksa rrezikues – dhe kjo e bëri atë të veçantë. Vdekja e tij përputhej me jetën e tij.”

Udhëtimi në Symi që përfundoi në tragjedi

Çifti kishte mbërritur në Symi më 4 qershor 2024, për të qëndruar në shtëpinë e një miku. Të nesërmen, ata e gjetën veten në plazhin e Agios Nikolaos. “Ishte një pasdite e bukur, me diell, kafe dhe libra”, kujton ajo. Michael, si gjithmonë, nuk mundi ta duronte gjatë mosveprimin: “Ai tha ‘do të dal për një shëtitje’. I dhashë shishen time të ujit. Ishte ora 1:30 e pasdites, ai mori një çadër për t’u mbrojtur nga dielli.”

Ai nuk e kishte telefonin celular me vete sepse nuk donte t’i binte në ujë. Kur nuk u kthye në pasdite, filloi shqetësimi. Claire njoftoi autoritetet dhe ekipi lokal i shpëtimit u mobilizua.

Kërkimi i mundimshëm

Ndërsa drita po shuhej, Claire filloi të kërkonte vetëm, duke thirrur emrin e tij. “Kalova disa orë duke ecur përgjatë bregdetit dhe përmes pemëve dhe gjembave, duke thirrur emrin e tij. Sa herë që takoja dikë, pyesja: ‘A e ke parë?’” “E dija që diçka kishte shkuar shumë keq.”

I gjithë komuniteti u mobilizua. “Ishte qetësuese, pothuajse terapeutike të shihje kaq shumë njerëz që kërkonin Michaelin”, thotë ajo Fëmijët e tyre – Alex, Jack, Dan dhe Kate – mbërritën nga Anglia dhe iu bashkuan grupeve të kërkimit. Njëri prej tyre pësoi goditje nga nxehtësia.

Zbulimi i trupit

Katër ditë më vonë, më 9 qershor, kryetari i bashkisë së ishullit, i shoqëruar nga një ekip televiziv, e gjeti trupin e tij pranë Shën Marinës – vetëm 100 metra nga vendi ku fëmijët e tij e kishin kërkuar tashmë.

Duket se Michael kishte vdekur dy orë pasi ishte larguar.

Claire shpreh krenari të madhe për fëmijët e saj, veçanërisht për vajzën e saj Kate, e cila mori përsipër procesin e riatdhesimit. “Dhe unë thjesht mbylla sytë dhe e lashë të organizonte gjithçka.” Claire kujton gjithashtu mbështetjen e madhe nga publiku dhe mijëra mesazhe.

Kur u pyet se cili ishte momenti më i keq i pikëllimit, ajo përgjigjet pa hezitim: “I pari. Kur ai u zhduk. Ishte sikur gjithçka u shemb.”

“Ndihem me fat që kam jetuar jetën time me Michael. U dashuruam. Kaluam një kohë të mrekullueshme së bashku,” përfundoi ajo. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko