Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman deklaroi se kanë theksuar që të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse për çështjen e Palestinës.

Princi i kurorës Bin Salman foli në hapjen e Samitit të 43-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) i cili mbahet në Rijad me pjesëmarrjen e liderëve dhe përfaqësuesve të vendeve të Gjirit.

“GCC mbështet formimin e shtetit të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor në bazë të kufijve të vitit 1967 në përputhje me rezolutat legjitime ndërkombëtare dhe iniciativën arabe të paqes”, tha Bin Salman duke shtuar që për çështjen e Palestinës të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Duke përgëzuar Katarin për “suksesin e jashtëzakonshëm” në organizimin e Kupës së Botës FIFA 2022, Bin Salman shtoi se Këshilli pranoi “Vizionin e Punimeve të Gjirit” të paraqitur nga mbreti i atëhershëm i Arabisë Saudite, Salman Bin Abdulaziz Al Saud, në seancën e 36-të të tij në vitin 2015 dhe se kjo kontribuon në rolin strategjik të GCC-së si në nivel rajonal ashtu dhe në atë global.

Bin Salman më tej bëri të ditur se nën dritën e zhvillimeve të rëndësishëm në 7 vitet e fundit, Arabia Saudite ka planifikuar të paraqesë një fazë të dytë të vizionit të mbretit Salman.

“Kemi besim të plotë se do të përshpejtojë në objektivat e dëshiruara bashkëpunimin e ngushtë mes vendeve tona”, shtoi Bin Salman.

Ai foli edhe për çështjet rajonale, ku tërhoqi vëmendjen mbi angazhimin e Iranit ndaj përgjegjësive dhe marrëveshjeve ndërkombëtare bërthamore si dhe vazhdimin e parimit të fqinjësisë së mirë.

Bin Salman potencoi se vendet e GCC do të vazhdojnë të jenë një burim i sigurt dhe i besueshëm për të siguruar energjinë që bota ka nevojë.

Samiti i mëparshëm i 42-të i GCC u mbajt në Oman. Gjithashtu u njoftua se Samiti i ardhshëm i GCC do të mbahet në Katar.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit u themelua më 25 maj të vitit 1981 me qendër në Rijad. Këshilli ka 6 anëtarë, përfshirë Arabinë Saudite, Kuvajtin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Omanin dhe Bahreinin.

Burimi: AA