Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Bin Salman i tha Zelenskyt se Arabia Saudite është e gatshme të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës me qëllim të zgjidhjes së konfliktit midis dy vendeve, ndërsa lufta mes dy palëve vazhdon, njoftoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve SPA.

Bin Salman përsëriti mbështetjen e tij për përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve dhe zgjidhje politike të konfliktit.

Vizat dhe lejet e qëndrimit të qytetarëve ukrainas në Arabinë Saudite do të vazhdohen për tre muaj, i tha ai Zelenskyt.

Më herët, Bin Salman kishte zhvilluar bisedë telefonike edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ata diskutuan për zhvillimet në tregjet e naftës dhe sanksionet kundër Rusisë.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagim të ashpër ndërkombëtar, ndërsa Bashkimin Evropian, SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas të dhënave të OKB-së, të paktën 227 civilë në Ukrainë janë vrarë ndërsa 525 janë plagosur që nga fillimi i luftës.

Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i të vdekurve është mbi 2.000.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re