Ngjarja e fundit në Durrës, ku tre fëmijë të mitur u gjetën në një banesë të mbytur nga papastërtia dhe të prekur nga zgjebja, nuk është thjesht një kronikë e zezë e radhës. Ajo është pasqyra ulëritëse e një shoqërie, që në vrapin e saj të çmendur drejt mbijetesës ekonomike dhe individualizmit ekstrem, e ka humbur busullën e detyrës njerëzore.
Jemi kthyer në një popull prindërish dhe fëmijësh “me kohë të pjesshme”, ku përgjegjësia morale është zëvendësuar me llogari bankare të varfra ose me justifikime të rëndomta mbijetese.
Nga solidariteti në “xhungël”
Pas viteve 1990, kalimi i dhunshëm nga një kolektivizëm i detyruar në një kapitalizëm të egër e kaotik, solli me vete një kosto që askush nuk e parashikoi: degradimin e familjes. Në emër të “punës me dy turne”, të emigrimit apo të pamundësisë ekonomike, kemi filluar të normalizojmë braktisjen.
Rasti i Blerina Bashës në Durrës është simptoma, jo sëmundja. Sëmundja është një sistem ku prindërit jetojnë në Francë, babai dërgon lëmosha nga Italia, dhe nëna pretendon se punon dy turne ndërsa fëmijët kalben në shtëpi nga zgjebja, një sëmundje mesjetare që tregon mungesë totale higjiene dhe kujdesi elementar.
Ballafaqimet televizive: Gjyqi i vonuar i ndërgjegjes
Nuk ka nevojë të shkosh shumë larg për të parë këtë krizë. Mjafton të ndezësh televizorin. Ekranet shqiptare janë mbushur me “ballafaqime” ku prindër të moshuar, në prag të vdekjes, me sytë e përlotur dhe zërin që u dridhet, denoncojnë fëmijët e tyre që i kanë lënë të harruar në vetmi.
Nga ana tjetër, shohim nëna e baballarë që fëmijët i shohin si “barrë” apo si “pronë” që mund të lihet pas dore në emër të një jete të re apo një konflikti me ish-vjehrrën. Kur dëgjon një gjyshe që akuzon nusen për “400 mijë lekë të shpenzuar për trajtimin e thonjve dhe flokëve” ndërsa fëmijët lëngojnë në papastërti, e kupton se egoizmi ka fituar mbi instinktin më bazik njerëzor.
Prindërimi nuk është opsional
Varfëria është një dukuri reale, por nuk mund të jetë më një mburojë për neglizhencën. Sepse shumë familje shqiptare kanë rritur fëmijë me sakrifica nën varfëri ekstreme, por pa humbur dinjitetin dhe pastërtinë.
Sot, drama qëndron te braktisja shpirtërore; fëmijët po rriten në “udhëkryq”, pa prezencën e asnjërit prind, ndërsa të moshuarit po vdesin të vetmuar me sytë nga dera që nuk hapet kurrë. Nëse vazhdojmë të kërkojmë fajin vetëm te “sistemi” apo te “lekët”, do të përfundojmë si një shoqëri pa rrënjë.
Një nënë që nuk dërgon fëmijët në shkollë sepse “nuk ka mundësi”, apo një baba që mendon se detyra e tij mbaron me 180 mijë lekë në muaj dërguar ish-bashkëshortes për fëmijët, janë dëshmia se kemi dështuar si qenie njerëzore.
Ka ardhur koha të kuptojmë se kapitalizmi nuk na zhvesh nga detyrat morale. Nuk mund të jesh prind vetëm kur ke kohë, dhe nuk mund të jesh bir apo bijë vetëm kur ke interes. Familja nuk është një kontratë me kohë të pjesshme. Përkundrazi, ajo është e vetmja gjë që na mban njerëz në këtë xhungël moderne./tesheshi.com/



