Teksa Ukraina përballet në javën e katërt me pushtimin rus, këngëtarja Olia Cybulska, në një intervistë për Fax News, tregon përjetimet e vështira të luftës, dhe përballjen me bombardime të vazhdueshme.
Ajo tregon për gazetarin Eduart Halili se ndodhet në pjesën perëndimore të Ukrainës, e cila për momentin është më e sigurt, ndërkohë që prindërit e saj që ndodheshin në afërsi të Kiecit, kanë qendruar me ditë të tëra pa ushqim, ujë apo energji elektrike.
Më në fund makthi ka mbaruar, pasi ata tashmë janë bashkë, edhe pse lufta nuk ka ende sinjale që të marrë fund. Cybulska bën thirrje që NATO të mbyllë hapësirën ajrore të Ukrainës, në mënyrë që Putin të ndalet.
Intervista e plotë:
Përshëndetje Olia, faleminderit që pranuatftesën për të folur në një kohë kaq të tmerrshem për ju.
Olia Cybulska: Përshëndetje të gjithëve, dhe faleminderit për kohën, këtë mundësi, dhe shançin për të folur për Ukrainën, sepse ne këto momente Ukraina ka nevojë për ndihmë, dhe informacioni është një ndihmesë emadhe.
Së pari më lini t’ju pyes si jeni me shëndet? Po familja juaj?
Olia Cybulska: Jemi mirë nëse është kjo fjala e duhur. Jemi vendosur në pjesën perëndimore të Ukrainës. Këtu është vend më i sigurtë për të qëndruar, sepse unë kam dhe një fëmijë të vogël, 7 vjeç. Tani ndihem pak më mirë, duke qenë se dje pasdite arritëm të merrnim prindërit e mi nga një qytet jo larg Kievit, ku kishin qëndruar për 7 ditë pa ushqim, ujë, dritë, etj. Nuk e dija nëse ishin gjallë, ndërsa tani janë gjallë dhe ishte një dhuratë nga zoti që shpëtuan.
Sa e vështirë është të jetosh në Ukrainë në këto momente, a mund të na e shpjegoni?
Olia Cybulska: Të jetosh është fjalë e madhe. Është shumë e vështirë, sepse çdo moment dëgjon sirenat dhe je e frikësuar. Rusia na bombordon, tanket janë në territorin tonë, njerëzit po vdesin dhe nuk ka fund. Ata qëllojnë njerëzit në rrugë, të cilët mundohen të shpëtojnë.
Në qytetet e pushtuara, trupat ruse qëllojnë mbi njerëzit, vrasin fëmijët, vrasin burrat. Nuk ka vende vërtetë të sigurta në këto momente në Ukrainë, thejsht ne jemi pak më të sigurtë këtu ku jemi. Shumica e njerëzve është e papunë, edhe në ato qytete ku nuk ka luftë. Kështu që është e vështirë t’i përgjigjem pyetjes nëse ne po luftojmë apo thjesht po mbijetojmë. Falë zotit jam gjallë.
Ju jeni një këngëtare e famshme në Ukrainë, Olia, por që nga 24 shkurti nuk mund të ushtroni profesionin tuaj. Sa e vështirë është për ju të jetoni pa muzikë?
Olia Cybulska: Nuk mund të mendoj për muzikën tashmë, pasi e kam shumë të vështirë. Çdo ditë në rrjetet e mia sociale, më vijnë mesazhe nga qytetet ku bëja koncerte, dhe shoh që qajnë dhe thonë nuk kemi ushqim, nuk kemi ujë, apo që kanë nevojë për ndihmë. Është shumë e vështirë të bëj muzikë, dhe shumë e vështirë të mendoj për koncerte. E kam ndalur muzikën dhe po bëj gjithçka mundem që të lidhem me mediat e botës që t’i tregoj për luftën që po bën Rusia ne vendin tonë, duke vrarë njerëz. Shpresoj që ta ndalojmë Putinin dhe këtë terrorizëm të çmendur. Është e pabesueshme që në një botë demokratike vriten njerëz, fëmijë. Nuk është normale.
A mund të na tregoni disa nga vështirësitë në jetën e përditshme të ukrainasve në këto momente në qytetet që sulmohen çdo ditë nga Rusia?
Olia Cybulska: Qytetet janë të pushtuara, nuk ka ushqim, ujë, gaz, energji elektrike. Njerëzit qëllohen në rrugë, ata nuk mund të jetojnë. Shtëpitë apo makinat digjen. Ata po luftojnë për jetën e tyre.
Po transporti, bankat, supermarket a funksionojnë?
Olia Cybulska: Në pjesën qëndrore dhe shumicën e Ukrainës po, por jo në të gjithë vendin. Njerëzit përpiqen të punojnë sepse ne duam që ekonomia jonë të funksionojë dhe të ndihmojmë qytetet e sulmuara. Nuk është se puna vijon normalisht, sepse janë të frikësuar, por ne po përpiqemi.
Dua t’ju pyes për spitalet. A ka mungesa në staf përshkak të situatës?
Olia Cybulska: Doktorët tanë po bëjnë ç’të munden. I falenderojmë sepse po shpëtojnë njerëzit. Ju e dini që rusët sulmojnë dhe fëmijët, spitalet, maternitetet. Bashkëshortja e vëllait tim lindi një fëmijë para disa ditësh në një situatë të tillë. Ishte shumë e frikshme.
Sa e vështirë është për ju t’ia shpjegoni fëmijëve këtë situatë?
Olia Cybulska: Është shumë e vështirë. Djali im është 7 vjeç, dhe më pyet përse Putin bën këtë gjë, dhe përse lufta nuk ndalon. Nuk mund t’ia shpjegoj, dhe nuk kam fjalë për t’i thënë. I them vetëm që zemra ime je i sigurtë sepse je me mua. E di që zoti po e sheh këtë dhe kjo situatë do marrë fund.
A keni ndonjë mesazh për vendet e NATO-s dhe vendet e tjera të botës?
Olia Cybulska: Ju lutem, mbylleni hapësirën ajrore në Ukrainë, sepse tashmë kemi luftë në shtëpi. Putin është i çmendur, është jo normal. Mjekët e kanë thënë që nuk është normal. Ai është psikopat. Sot e kemi ne luftën në shtëpi, por nesër lufta mund të vijë te shtëpia juaj. Tani po sulmon Ukrainën, por ai mund të dëshirojë të marrë gjithë botën. Kam frikë se këtë luftë mund ta përjetojnë dhe fëmijët tuaj. Është shqetësuese.
Në fund dua t’iu kërkoj nëse keni mundësi të na këndoni diçka të shkurtër vetëm për të treguar se jeta do ta mposhtë gjithmonë vdekjen dhe të keqen.
Olia Cybulska: Më vjen keq por nuk mund të këndoj. Për disa ditë as nuk flisja dot. Ju jap fjalën se sapo të fitojmë, unë do të vij në Shqipëri ose do ju mirëpres në Ukrainë dhe do këndojmë së bashku.
Ju kuptoj. Atëherë uroj zoti qoftë me ju dhe kjo luftë të marrë fund sa më shpejt! Faleminderit për kohën.
Olia Cybulska: Faleminderit ju për mundësinë.
…
/faxweb