11 fëmijë jetimë kanë marrë sot statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Bëhet fjalë për fëmijë të mjekëve apo infermierëve dhe jo vetëm, që kanë rënë në krye të detyrës, të cilët do të kenë tashmë mbështetjen e qeverisë, një paketë mbështetje.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës në ceremoni tha se për këta fëmijë do të ofrohet mbështetje deri në moshën 25 vjeçe.

Po ashtu ajo theksoi se për ta do të ketë mbështetje për arsimin, dhe mbështetje sociale, përfshi këtu bursa dhe tekste shkollore falas.

Fjala e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu: 

“Një vit më parë, Kryeministri Rama, bëri një premtim. Qeveria do u qëndronte pranë, pa asnjë rezervë, fëmijëve dhe familjeve të heronjve të këtij vendi. Sot, ky premtim bëhet realitet. Eshte dita kur në zbatim të Ligjit “Per Fëmijët në përkujdesje të Republikës”, akordojmë Statuset per fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut, si shenjë mirënjohjeje për sakrificën vetëmohuese të baballarëve tuaj të dashur, të djemve tuaj të shtrenjtë, që sot nuk janë më mes nesh. Në cilësinë e drejtuese së Komisionit Qendror të dhënies së statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, Manastirliu tha 11 fëmijëve të parë u jepet ky status i posaçëm, duke theksuar se me Ligjin e “Fëmijëve në Përkujdesje të Republikës”, këta fëmijë përfitojnë një paketë të plotë mbështetje, derisa të dalin në jetë e të mund të bëhen të zotët e vetes. “Pas vleresimit te kujdesshëm, 11 fëmijëve u jepet statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, dhe u akordohen përfitimet e statusit, nga trajtimi financiar me mbështetjen çdo muaj me pagën e prindit që ka humbur jetën, përgjatë gjithë viteve të fëmijërisë e deri në moshën 25 vjeç, nëse fëmija ndjek shkollën e lartë. Po kështu do të kenë mbështetje për arsimim, punësim, kujdes shendetësor dhe mbrojtje sociale”, bëri me dije Manastirliu.

Paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës parashikon:

– 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
– 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;
– 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
– 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas. Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë. Gëzojnë të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat. Komisioni Qendror i ngritur për vlerësimin e dosjeve të profesionistëve të rënë në krye të detyrës, do të mblidhet çdo herë që ka kërkesa për marrjen e këtij statusi./ BalkanWeb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re