Shumë prej lodrave që shiten në Shqipëri nuk i përmbushin standardet e duhura, kësisoj prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm për cilësinë e lodrave që u blejnë fëmijëve të tyre.

Kreu i Inspektoriatit Shtetëor të Mbikqyrjes së Tregut Lavdrim Sahitaj, u shpreh se vetëm në muajin e fundit janë bllokuar në treg mbi 3500 lodra të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.

“Janë bllokuar afërsisht 3500 lodra vetëm muajin e fundit të cilat janë një sasi jo e vogël. Një vit më parë kemi bllokuar 20.000 të tilla. Për hir të së vërtetës, kemi sjelljen e tregut në standard dhe çdo ditë është përmirësuar. Kjo për faktin se importuesit e shumicës janë ndërgjegjësuar që produktet mund të bllokohen dhe shkatërrohen, siç edhe ndodhi”-tha Sahitaj në një intervistë për KlanPlus.

Një pjesë e konsiderueshme e lodrave mund të kenë në përbërje ftalate, një kimikat që përdoret në plastikë dhe është i dëmshëm për shëndetin e fëmijëve, sidomos për fëmijët e vegjël të cilët mund të kafshojnë apo vendosin në gojë lodrat. Një tjetër aspekt i rrezikshëm mbetet blerja e lodrave të cilat mund të jenë të bëra me materiale të thyeshme të cilat mund të gëlltiten nga fëmijët

“Kryesisht janë lodrat që kanë elementë kimikë si ftalate, zink, elementë të cilët janë lehtësisht të thyeshme, pra lodra me materiale që thyhen e fëmijët mund t’i gëlltisin.”-tregoi Sahitaj.

Për të qenë më të sigurt në blerjen e lodrave, prindërit duhet të lexojnë etiketat e produkteve e mbi të gjitha të blejnë në dyqane të certifikuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re