Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, shpreh besimin se me zhvillimin strategjik të qytetit, falë projekteve madhore të qeverisë shqiptare, donatorëve  dhe partnerëve vendas e të huaj, qyteti i “një mbi një dritareve”, do të tërheqë akoma më shumë vëmendjen e vizitorëve.

I kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara për turistët, Berati është një qytet, i cili me trashëgiminë kulturore, historinë, natyrën,arkitekturën , i ofron të gjithë vizitorëve mundësi të shkëlqyera për eksplorim.

Në një intervistë për ATSH-në, kryetari Demo ndalet tek prioritetet e bashkisë për 2020, të cilat janë kryesisht në drejtim të rigjenerimit urban dhe përmirësimit të peizazhit historik urban, aksesit, zhvillimit të produktit, të cilat janë të shoqëruara edhe me komponentin soft, atë të rritjes së kapaciteteve të banorëve vendas të përfshirë në industrinë e turizmit.

“Gjatë vitit 2019 qytetin e Beratit e vizituan 140,000 turistë, sipas biletave të shitura në Kalanë e Beratit. Ky numër ka ardhur në rritje çdo vit, duke patur një rritje konstante rreth 10% në çdo vit”, – tha Demo. 

Cilat janë projektet kryesore dhe investimet publike në qytetin e Beratit për 2020? 

Në vitin 2020 në bashkinë Berat do të fillojnë disa projekte madhore në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, donatorë dhe partnerë vendas dhe të huaj të cilat do të iniciojnë ndërhyrje të mëdha në infrastrukturën publike.

 Aktualisht janë duke u zbatuar tre projekte të mëdha në qytet :

 -Rehabilitimi i rrugës ” Muzak Topia”’ financuar nga Programi për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik financuar nga Banka Botërore. Investimi do të ofrojë lehtësi për trafikun e mjeteve , parkimin, ndriçimin, sheshet panoramike, por edhe do t’i shërbejnë fuqizimit të bizneseve turistike të cilat janë të përqendruara në Qendrën Historike.  Rruga “Muzak Topia’’ lidh Kalanë e qytetit me rrugën nacionale dhe qytetin, duke pritur t’i japë një  zhvillim të jashtëzakonshëm turizmit në qytet dhe më gjerë.

 -Rehabilitimi i rrugës “SHISH – Ura e re e Goricës” , e cila kalon përgjatë lumit Osum, dhe synon  të rrisë aksesin në qytet, të shmangë trafikun dhe t’i japë zhvillim një zone të degraduar të qytetit. Financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

 – Rehabilitimi i rrjetit ujësjellës kanalizime dhe ujërave të zeza për lagjen Goricë dhe lagjet e njësisë administrative nr. 1 në qytet, përfshirë ‘ ‘Dëshmorët e kombit’’  , “Muzaka’’, Çlirim’’ dhe “barrikadë”. Projekti mundësohet nga financimet e huaja të Qeverisë Gjermane përmes KfW, Qeverisë Zvicerane dhe Bashkimit Europian. Projekti ka filluar zbatimin me rehabilitimin e derdhjes së ujërave të zeza në qytet duke shmangur ndotjen e habitatit ujor dhe duke bërë të mundur që lumi Osum të kthehet në hapësirën blu kaq të munguar të panoramës së qytetit, siç e meriton. Gjithashtu projekti parashikon ndërhyrje në zonat e banuara kryesisht në lagjen “Goricë” dhe lagjet veriore të qytetit për renovimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë duke bërë të mundur shtimin e orëve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët si dhe rritjen e eficiencës ekomomike dhe operacionale të ndërmarrjes për menaxhimin e ujit në qytet. 

Në harkun kohor 2020-2021 parashikohet financimi i Bankës Botërore në shumën 15 milionë dollarë përfshirë TVSH. Projektet do të fillojnë në vitin 2020 dhe do të përfshijë: restaurimin e peizazhit historik urban të Lagjes “Goricë’’, rehabilitimin urban të Sheshit “ Iljaz Vrioni’’, restaurim dhe përdorim me përshtatje i ish- Selamllëkut të Vrionasve dhe zonës rrotull, përmirësim pamor i siluetës urbane përgjatë rrugës “Antipatrea’’ në qendër të qytetit, si dhe rehabilitimi i shtegut të Kalasë së Goricës dhe krijimi i potencialeve turistike pranë monumenteve dhe vendosje sinjalistike turistike dhe tabelat informuese për vizitorët.

Këtë vit parashikohet edhe fillimi i zbatimit të Programit për Zhvillimin e Turizmit financuar nga Komisioni Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projektet, të cilat janë parashikuar për Beratin përfshijnë:

-Projektin “Rehabilitimi i shtratit të lumit Osum, përfshirë kolektorin, i cili eliminon derdhjet e ujërave të zeza të qytetit në Lum, përforcimin e skarpatave për mbrojtjen nga Lumi , përfshirë Ishullin mbi lumin Osum dhe rehabilitimin e pjesës së Lumit që përshkon qytetin e Beratit’’.

Projekti “Rehabilitimi i rrugës Berat- Drobonik’”.

-Projekti “Ndërhyrje rehabilituese në Kalanë e Beratit, përfshirë rehabilitimin dhe restaurimin e Akropolit, Cisternës së vjetër të Ujit dhe i ish- garnizonit të vjetër Otoman, ndriçim arkitektonik  i zonës jashtë mureve rrethuese’’.

– Rivitalizimi i Muzeut Etnografik dhe Muzeut Onufri

– Plan Menaxhimi për Parkun Kombëtar të Tomorrit

– Ndërtimi i rrugës Berat- Qafë Dardhë  

– Ndërtimi i Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Tomorit

– MasterPlan Turizmi dhe sistem i menaxhuar i vizitorëve në Kalanë Berat

– Ndërtimi i Rrugës Rajonale Berat- Roskovec

– Ndërtimi i Muzeumit të Verës në fshatrat e Beratit

 Me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim dhe Shoqatën BID Berati do vijojë bashkëpunimi për projekte në Zonën BID dhe në vitin 2020 do të zgjerohet aktiviteti edhe në qendrën historike .

Një tjetër projekt që do të fillojë këtë viti do të synojë të rehabilitojë vend-depozitimin e mbetjeve të qytetit. Ky projekt mbështetet nga Qeveria Zvicerane përmes SECO dhe pas rehabilitimit të vend-depozitimin aktual do të fillojë edhe ndërtimi i një Landfilli Sanitar i cili do të synojë të adresojë grumbullimin dhe administrimin e mbetjeve në mënyrë sa më miqësore me mjedisin për bashkitë e qarkut Berat.

Për këtë vit synojmë të shtojmë 3,400 m2 segmente rrugore me kalldrëm, si dhe 770 m2 sheshe me pllakë trotuari përpos ndërtimit të segmenteve të rrugëve me betonNjë tjetër objektiv që kemi për këtë vit është gjithashtu edhe shtimi i rrjetit te ndriçimit publik me 1.5 km. 

Për sa i përket gjelbërimit synojmë të krijojmë 7 hapësira të gjelbra me një sipërfaqe totale prej 2428 m2.

Bashkia Berat ka aplikuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Ministrinë e Brendshme për programin e financuar nga BE “ Thirrja e pestë e targetuar: Mbrojtja nga zjarri në pyje’’ për financimin e disa mjeteve zjarrfikëse, blerje uniformash dhe pajisjesh të zjarrfikësve dhe rehabilitim të godinës së Sektorit të Mbrojtjes nga zjarri.

 A ka bashkia politika specifike për adresimin e nxitjes së punësimit?

Në lidhje me punësimin bashkia Berat bashkëpunon ngushtë me programin IDEA të Agjencisë Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtare GIZ. Në kuadër të këtij programi është duke u kryer trajnimi i shumë anëtarëve të komunitetit në Berat në fushën e planifikimit dhe menaxhimit të biznesit. Këto programe trajnimi do të vazhdojnë intensivisht edhe në vitin 2020.

Bashkia do të organizojë edhe kampe të posaçme me të rinj të cilat do të kenë si objektiv të rrisin kapacitetet e të rinjve në fushën që janë me perspektiv për zhvillim ekonomik si trashëgimi kulturore dhe turizëm. 

Për këtë vit, bashkia Berat ka përdorur edhe mekanizma financiar me qëllim për të stimuluar zhvillimin ekonomik. Bashkia e ka hequr plotësisht taksën e regjistrimit të individëve që regjistrohen si biznes në qendrën e regjistrimit të bizneseve. Njëkohësisht për këtë vit në paketën fiskale kemi përcaktuar edhe zona me nivel të ulët ekonomik duke i shpallur ato zona depresive ekonomike dhe duke hequr detyrimet tarifore të bashkisë për vitin e parë të hapjes së biznesit, si dhe duke i pasur ato të reduktuara për dy vitet pasuese.

Turizmi është prioriteti kryesor i bashkisë tuaj, mund të na thoni çfarë politikash po ndjek bashkia për zhvillimin e qëndrueshëm të tij?

Aktualisht zhvillimi ynë strategjik i qytetit është i fokusuar në drejtim të rigjenerimit urban dhe përmirësimit të peizazhit historik urban, aksesit, zhvillimi të produktit të cilat janë të shoqëruara edhe me komponentin soft, atë të rritjes së kapaciteteve të banorëve vendas të përfshirë në industrinë e turizmit.

Përveç rigjenerimit urban jemi të fokusuar edhe në rritjen e aksesit në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale. Disa nga projektet që janë në fokusin tonë edhe me partnerin tonë, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë:

Rehabilitimi i rrugës automobilistike “Muzak Topia” dhe krijimi i vend-parkim për mjetet motorike të vogla dhe të mëdha që vizitojnë Lagjen Kala

Krijimi i parkimeve të reja në zonën urbane të qytetit për të akomoduar fluksin e vizitorëve në qytet

–  Rehabilitim i rrugës Berat-Qafë Dardhë duke rritur aksesin drejt Parkut Kombëtar të Tomorit

Rehabilitim i Rrugës Berat – Drobonik si dhe Berat-Malinat

 Sa është numri i turistëve që kanë vizituar Beratin në 2019 dhe mund të na thoni disa nga pikat më atraktive të vizituara prej turistëve ? 

Gjatë vitit 2019 ishin 140,000 turistë, të cilët hynë në Berat, sipas biletave të shitura në Kalanë e Beratit. Ky numër ka ardhur në rritje çdo vit, duke patur një rritje konstante rreth 10% në çdo vit. 

Berati është një qytet, i cili me trashëgiminë kulturore, historinë, natyrën,arkitekturën , i ofron të gjithë vizitorëve mundësi të shkëlqyera për eksplorim.

107 monumenteve të kategorisë së parë dhe 383 të kategorisë së dytë, i bashkohen vlerat e rralla të natyrës së peizazheve që rrethojnë Beratin, duke patur në total 11 monumente natyrore të mbrojtura, produktet e agrobiznesit, atraksionet e eko-turizmit, kulinaria e pasur dhe mbi të gjitha mikpritja tradicionale.

-Paketa kulturore përfshin Qendrën Historike, pjesë e UNESCO-s, Kështjellën e qytetit, e cila daton që në shekullin e 4 para Krishtit, kishat e vjetra Bizantine, xhamitë e periudhës Otomane,  lagjet mesjetare të Mangalemit dhe Goricës dhe Qendrën Mesjetare me arkitekturë tipike të shekullit 18-19.

Pjesë e paketës kulturore janë edhe rrënojat e Kalasë së Goricës, ku natyra dhe historia mrekullojnë vizitorët, gjithashtu edhe 2 muzeumet kombëtare : Muzeu i Ikonave Onufri dhe Muzeu Etnografik. Ndërsa paketa natyrore e Bareatit është e lidhur me peizazhin e fshatrave dhe rrethinave të Beratit: fshatrat Roshnik, Qafë Dardhë, Sinjë, Drobonik, të cilët japin mundësi të shumta për ecje, hiking,vizitë në kantinat e verës të cilat janë kthyer në pika degustimi të ushqimeve dhe pijeve lokale, vizitë në fermat e sapo hapura të agrobiznesit.

Paketa e aventurës përfshin rafting në lumin Osum, ngjitje në Malin e Tomorit, ecje me biçikleta malore etj ./k.s/














 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re