Skip to content

Prishja e 7-katëshit të parë në Tiranë, zbardhet vendimi i Bashkisë për godinën e Maks Velos: Të ndërtohet një e re, e pabanueshme pas tërmetit

Fax News ka siguruar dokumentin e Bashkisë së Tiranës për vendimin e prishjes së godinës së parë 7-katëshe në Tiranë , projektuar nga Maks Velo në vitin 1967.

Sipas dokumentit, kjo godinë do të prishet përshkak të demtimeve të pësuara nga tërmeti i vitit 2019, dhe në vend të saj do të ndërtohet një godinë e re.

Pjesë nga VENDIMI

Godina ekzistuese është 7-katëshe. Struktura e objektit është e tipit të kombinuar, ku ka prezencë muresh mbajtesës dhe sistemi me kolona betoni të armuar. Kolonat janë të përmasave 50 x 25 cm, të ndërtuara me beton të derdhur në vend, gjithashtu dhe soletat janë të tipit monolite me trashësi 15 cm. Shkalla është me strukturë betoni të armuar me lartësi 12 cm dhe mbështetet në trarë. Themelet janë të tipit plint në pjesën me kolona dhe themele të vazhduar guri në pjesën me mure mbajtëse. Muratura e përdorur në objekt është e tipit muraturë me tullë të plotë silikate dhe me tullë mbajtëse argjile me bira. Muratura e tullës silikate ndryshon trashësi nga kati përdhe në katet e tjera, respektivisht 64 cm në katin përdhe dhe përfundon në 25 cm në katin e gjashtë. Muratura me tulla mbajtëse argjile me bira është përdorur me trashësi të njëtrajtshme prej 25 cm dhe nuk ndryshon nga kati në kat. Këto të fundit kufizohen me kolona dhe trarë b/a, ku dhe mbështeten. Pas verifikimit në terren të gjendjes faktike të këtij objekti si dhe konstatimit të dëmtimeve të ardhura si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, është bërë evidentimi i problematikave të kësaj godine. Gjatë verifikimeve të kryera në terren pas lëkundjeve të tërmetit dhe akt ekspertizes së thelluar ky objekt është klasifikuar si i papërshtatshme dhe me rrezikshmëri, per kete arsye eshte realizuar ekspertiza e thelluar dhe oponenca teknike prane Institutit te Ndertimit, dhe ky i fundit ka dal në konkluzionin që: të prishet dhe të Ndërtohet godine e re.

Kjo godinë është shpallur në vitin 2017 monument kulture i kategorisë së dytë,  për vlerat historike dhe arkitektonike që mbart.

Ditën e sotme, lidhur me ndërhyrjet per prishjen e kesaj godine, që bëhen në mes të ditës në Tiranë, pa vendosur kurrfarë tabele orientuese ka reaguar edhe pedagogu Ervin Goci, i cili shkruan: “7-kateshi i Maks Velos, duke u prishur ne mes te dites, nje godine ne gjendje shume te mire siç ka thene dhe konstruktori Orhan Sakiqi. E varrosen Maksin, bashke me eshtrat e veprave te tij, tani i dalin dhe i kendojne ode per vepren. Te gjithe maskarenjte qe per ç’nuk flasin e per ç’nuk na çajne veshet, nuk flasin se si po shkaterrohet nje pasuri e arkitektures dhe e trashegimise. Qelbesira staliniste!  Vemje te Partise se Punes.”

Goci ka bërë thirrje më tej për arkitektët që të reagojnë për këtë masakër që po i bëhet trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës.

“Meqë ra fjala dhe puna krijuese e arkitekteve dhe inxhinerëve eshte pjese e trashegimise..perveç rruspes se pushtetit, po e vret dhe topat e parave qe ka zene gojet e arkitekteve, dhe atyre qe Maksi i ka shpikur dhe flasin nga mengjesi ne darke ne emer te Maksit. Sot po vritet nje veper, por po vritet dhe nje autor, ne fakt po vritet mendja dhe shpirti i kombit”, shkruan Goci.

Ndërkohë që Orhan Sakiqi, konstruktori i 7-Katëshit të Maks Velos, shkruan: “Ervin, nuk ka gjê më te dhimbshme pêr një inxhinjer kur i prishin veprên e tij për së gjalli. Ishte puna e parë pêr Maksin si arkitekt dhe unë si konstruktor. Viti 1967.Ishte objekti qe Maksi u kritikua më shumë. As nje plasaritje apo ulje si e kam thene dhjetra here. Por koha e maskarejve nuk paska fund. Duke qene larg e ndej edhe mê shumë.” 

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb