Përplasje të forta mes pronarëve dhe policisë në Velipojë. IKMT ka ndërmarrë një aksion prej ditës së djeshme për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe sot janë prishur disa godina.

Sipas “BalkanWeb”, pronarët kanë kundërshtuar prishjen dhe janë përplasur me policinë. Në pamjet e siguruara shihen qytetarë të lënduar, ndërsa një grua ka humbur ndjenjat. Policia ka lëshuar gaz lotsjellës, por jo drejt banorëve por në ajër.

Policia më pas ka arritur që të largojë njerëzit dhe në fund ka prishur objektet. Pronarët pretendojnë se janë në procese ligjore për legalizimin e tyre.

Sot IKMT ka prishur objektet në pronësi të Nikoll Markut, ish-kryetar i komunës dhe aktualisht kreu i PD në Velipojë dhe ai pretendon se prishja është bërë për arsye politike.

Më herët Voltana Ademi ka deklaruar se ky aksion është i paligjshëm dhe do të bëjë padi. Ademi ka kërkuar që të kalojë dhe ky sezon veror dhe më pas të prishen ndërtimet që mund të jenë pa leje duke marrë parasysh dhe krizën në turizëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re