Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare zgjodhi Prishtinën si organizatore të Lojërave Mesdhetare 2030 me shumicë votash.

Kryekomunari Përparim Rama tha se ky është një lajm fantastik jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Ky është një lajm fantastik, sepse Lojërat Mesdhetare do të jenë një ngjarje e madhe sportive për mbarë Kosovën”.

Rama theksoi se terrenet dhe sallat sportive në Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Podujevë dhe Mitrovicë do të shfrytëzohen për këtë ngjarje sportive në 24 disiplina garuese.

“Do t’i kthejmë në një festë të madhe sportive për mbarë kombin tonë. Lojërat Mesdhetare – Prishtinë 2030 janë një arritje e madhe për Prishtinën, një fitore e madhe për Kosovën dhe një festival i madh sportiv për mbarë popullin shqiptar”, tha Rama.

Ai shtoi se kryeqyteti i Kosovës do të bashkëpunojë me të gjithë aktorët për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme sipas standardeve botërore.

Lojërat Mesdhetare janë një garë sportive ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet në një nga qytetet anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re