Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka akuzuar të shtunën Serbinë se ka blerë armë ruse dhe kineze me paratë e marra nga vendet evropiane.

“Serbia fshihet në ‘zonën gri’, duke marrë para nga Evropa dhe duke blerë armë ruse dhe kineze. Serbia duhet ta ndjejë presionin e vendeve evropiane”, tha ai në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mbajtur në Prishtinë.

Sipas Mehajt, “duhet të ketë një mesazh të qartë nga partnerët se nuk mund të luhet në të dyja anët”.

Paralelisht me akuzat, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia po planifikon investime shtesë në industrinë ushtarake dhe modernizimin e kapaciteteve prodhuese, por pavarësisht kushteve të favorshme në tregun e armëve dhe pajisjeve ushtarake, ajo do të mbajë 20 për qind të gjithçkaje të prodhuar për vetë, u njoftua të shtunën në Beograd.

“Konfliktet në botë do të zgjasin shumë”

Është e qartë se konfliktet në botë do të zgjasin shumë dhe se gjithçka që prodhojmë në 20 vitet e ardhshme mund të shitet në 100 vende të botës, tha Vuçiç.

Ai theksoi se si komandant suprem sipas Kushtetutës “nënshkruan urdhrin që 20 për qind e të gjitha prodhimeve të industrisë ushtarake vendase duhet të mbeten në Serbi”, për nevojat e ushtrisë dhe mbrojtjes së saj.

Vuçiç tha se më 7 tetor janë investuar 100 milionë euro në një pjesë të industrisë ushtarake përmes kompanisë së specializuar shtetërore për shitjen e armëve, pajisjeve ushtarake dhe transferimit të teknologjisë Jugoimport – SDPR.

 “Do të investojmë edhe qindra milionë euro që fabrikat tona të mos kenë makina të viteve gjashtëdhjetë dhe tetëdhjetë”, tha Vuçiç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re