Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Prishtinë. Në oborrin e Qendrës Spitalore, para Pavionit Gjinekologjik, një grua shtatzënë, 35 vjeçe, në pritje të fëmijës së parë, u ekzekutuar nga ish-partneri i saj me të cilin ishte ndarë kohë më parë.

Mësohet se jetëhumbura është Hamide Magashi, vrarë nga Sokol Halili. Ata ishin martuar këtë vit por ishin ndarë, edhe për shkak se ai, vrasësi në këtë rast, abuzonte me gruan e tij, të vrarë tashmë.

Policia e Kosovës, në deklaratën e saj thotë se “rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç.

Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Kjo është ndër ngjarjet më të rënda ndodhur në Kosovë në atë që quhet “krim brenda familjes”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re