Për shkak të kushteve të vështira të motit, trageti i linjës Brindisi- Vlorë, i cili duhej të ankorohej në orët e para të mëngjesit, ka arritur më në fund të ankorohet në portin e qytetit.

129 udhëtarëve iu desh të presin afro 6-7 orë pas një pritje të gjatë në det, ndërsa moti e kushtet e këqija e bënë të pamundur ankorimin. Një prej pasagjerëve foli për median, duke thënë se ishte një ditë e lodhshme dhe e vështirë, ndërsa në bord kishte njerëz të sëmurë dhe nuk kishte një mjek që të kujdesej për ta.

“Kemi pritur mbi 6 orë, për faj të një kabulli apo një teli që u shkëput. Anija pavarësisht se pati vetëm një problem të vogël iku në Sazan dhe në Karaburun. Ne s’kemi pas asnjë njoftim zyrtar, por sipas rregullave që ishin aty ne u bazuam te ato, dhe pse ishte vërtet një udhëtim shumë i vështirë. Në kushte të tilla ne nuk duhet që të vijojmë me probleme të tilla, standardi i kushteve ishte për të dëshiruar pasi aty nuk kishte një mjek dhe kishte pasagjerë të sëmurë që u binte të fikët”, ka thënë pasagjeri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re