Ndërsa sot në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet seanca për Sali Berishën, ky i fundit nuk u paraqit sërish.

Dy avokatët e tij, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, kanë mbërritur.

Kujtojmë se as një ditë më parë Berisha nuk u paraqitë në gjykatën që ka nisur shqyrtimin e masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë vendit për të, të marra ndaj tij në kuadër të hetimit mbi procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Këto masa janë konsideruar antikushtetuese nga zoti Berisha, sipas të cilit, do të duhej që më parë Prokuroria e Posaçme të kërkonte autorizim nga parlamenti. Megjithatë, ai u përfaqësua nga dy avokatë në seancën, e cila u shty për të vijuar ditën e sotme.

Gjykata e Posaçme e pati të pamundur të bëjë verifikimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” për ish-kryeministrin Sali Berisha, siç kishte planifikuar dje.

Fillimisht seanca u shty për në orën 18:00, me qëllim që avokatët të njihen me dosjen, por dy orë pas këtij momenti, dy përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit u larguan nga gjykata, duke detyruar këtë të fundit të shtyjë seancën për sot.

Avokati Genc Gjokutaj tha për mediat se kishin kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka për vendimmarrje në shkelje të detyrës për nxjerrjen e masës së sigurisë ndaj Berishës pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi.

“Për dijeninë tuaj, nga ana e Berishës është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’. Pra, si vendim ishte në shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit Procedural Penal dhe mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka”, – deklaroi avokati Genc Gjokutaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re