Që nga muaji tetor 2018, Kompania “Mela Holding Group” me qendër në Itali ka treguar interes për privatizimin e skuadrës së Tomorit. Kompania e drejtuar nga shqiptari me origjinë nga lugina e Preshevës, Marko Saljihu, e mbështetur nga firma shqiptare TPN Development me president beratasin Thoma Jançe, dje ka qenë në një takim me drejtues së Bashkisë Berat, të cilëve u kanë kërkuar më shumë informacion për kohën e privatizimit të FK Tomori.

Për SportEkspres.com, Jançe deklaron se ky është jetë hapi i parë i një procesi që do e shihte Tomorin të ndryshonte pronësi dhe të bëhet më konkurrues në futbollin shqiptar. “Biseda me drejtuesit e Bashkisë u organizua për të marrë më shumë informacion rreth kërkesës sonë për privatizimin e FK Tomori. Vetë Presidenti i “Mela Holding Group”, Marko Saljihu ishte interesuar për procedurat e këtij kalimi”, kështu deklaroi Thoma Jançe për këtë takim në Bashkinë e Beratit.

Ndërkohë nga ana e saj, Bashkia u ka premtuar se në datën 25 shkurt në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë do të merret vendimi përfundimtar për këtë kalim pronësie. “Në këtë takim, zoti Marko Saljihu mori premtimin se në datën 25 shkurt në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë do të miratohen procedurat e kalimit të klubit në pronësi të kompanisë së tij me 76% të aksioneve. U larguam nga ky takim me mendimin e mirë, për t’u rikthyer më 25 shkurt me dëshirën që të firmosin marrëveshjen”.

Klubi i Tomorit është në pronësi 100% të Bashkisë së Beratit dhe në bazë të Ligjit për Sportin, “Mela Holdin Grup” ka kërkuar që të ketë 76% të aksioneve në klub, pjesa tjetër i takon Bashkisë./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re