Vetëm pak kohë më parë Berati.TV në mënyrë ekskluzive zbuloj kërkesën e një kompanie me qendër në Itali për të blerë aksionet e FK Tomori. Kompania e drejtuar nga shqiptari me origjinë nga lugina e Preshevës, Marko Saljihu duket se nuk e ka ndalur këtu interesimin për blerjen e aksioneve të klubit beratas.

Pikërisht sot, presidenti Marko Saljihu i shqëruar nga i biri Alban dhe ndërmjetësi beratas Thoma Jance ishin në Berat për tu takuar me kryetarin e Bashkisë, Petrit Sinaj.

Kështu përfaqësuesit e Bashkisë dhe të kompanisë Mela Holding Group janë ulur për të diskutuar mundësitë e arritjes së një marrëveshje për shitjen e aksioneve të Tomorit. Duket se ky interesim ka nxitur edhe më tepër punën në bashki për procedurën e shitjes së aksioneve dhe në fundin e muajit shkurt pritet të jetë Këshilli Bashkiak që do të votoj nxjerrjen zyrtarisht në shitje të aksioneve.

Ky pritet të jetë vetëm hapi i parë i një procesi që do e shihte Tomorin të ndryshonte pronësi dhe të bëhet më konkurrues.

Sipas burimeve pranë Berati.TV biseda ka qënë miqësore por edhe janë përmendur procedurat, si edhe projektet e kompanisë që synon pronësinë e aksioneve të Tomorit.

Pas bisedës së kryer në ambientet e Bashkisë, babë e bir të shoqëruar edhe nga përfaqësues të klubit kanë bërë një vizitë në ambientet e stadiumit “Tomori’’ dhe presidenti i Mela Holding Group është larguar me përshtypjet pozitive nga Berati me synimin për tu rikthyer sërish pse jo këtë herë për të firmosur marrëveshjen që do e bënte edhe president të FK Tomorit./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re