Sekretari kryesor i Punëve të Jashtme të Kenias, Korir Sing’oei ka ngatërruar kryeministrin Edi Rama me Presidentin Bajram Begaj.

Ai ka publikuar një foto në X, ku foton me kryeministrin Edi Rama e shoqëron me një mbishkrim, duke e konsideruar atë presidentin e Shqipërisë, madje edhe me emër dhe mbiemër.

“Kam privilegjin të pres SH.T. Bajram Begaj, president i Shqipërisë, përpara takimit të tij me Presidentin Ruto në Dubai”, shkroi ai në postimin e tij në “X”.

Zyrtari i lartë kenian e ndryshoi postimin pas kritikave të shumta të komenteve përfshirë edhe atë të një gazetari vendas që i tregon Sing’oei se personi në foto është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ende nuk dihet nëse diplomati kenian nuk e di kush është Rama apo ishte një lapsus.

Takimi i krerëve të qeverive përkatëse u zhvillua para fillimit të Konferencës së 28-të të Palëve (COP28) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).

COP28 ka mbledhur rreth 70,000 pjesëmarrës, duke përfshirë krerë shtetesh, zyrtarë qeveritarë, udhëheqës të industrisë ndërkombëtare, përfaqësues të sektorit privat, akademikë, ekspertë, të rinj dhe aktorë joshtetërorë.

Konferenca globale e klimës u hap më 30 nëntor dhe do të zgjasë deri më 12 dhjetor.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re