Nga Namir LAPARDHAJA* –

Në gjykimin tim modest, një ndër problemet e mëdha të arsimit të lartë në këto dy dekadat e fundit është masivizimi dhe licensimi pa kriter i institucioneve private të arsimit të lartë.

Dhe për këtë, një pjesë të konsiderueshme të fajit e ka edhe qeverisja e djathtë. Sipas parimit “i gjithë populli studentë” dhe “më mirë në universitet se sa në rrugë”, kemi ardhur në gjendjen e sotme, duke shkatërruar totalisht hierarkinë e vlerave, administratën shtetërore e kemi mbushur me karabushë të rritur me hormone, ndërsa çdokujt i është dhënë mundësia e pretendimit dhe shndërrimit në dhënës mendimesh, gjykimesh, pse jo edhe kritikash e anatemimesh, ndërtuar mbi vetëbesimin “çfarë ka ai më shumë se unë: ai me shkollë të lartë, edhe unë me shkollë të lartë”.

Disa prej universiteteve private në këtë kohë e humbën totalisht qëllimin arsimor dhe të përfituesit të dijeve, duke u kthyer në kioska universitare të krahasueshme me piramidat financiare të dikurshme.

Madje, disa prej tyre kujtohen edhe sot për lehtësimin e marrjes së diplomave, në shkëmbim të pak lekëve, apo, edhe më keq, mbështetjes së ngushtë politike (Më jep kaq vota, të japë një diplomë çfarë të duash).

Me këtë nuk dua të vendos shenjën e barazimit për të gjithë këtë sektor, mirëpo, ajo që mendoj dhe besoj, është të pranohet gabimi, për të mos u përsëritur më, dhe të bëhet një mea culpa për dëmin e madh që i është shkaktuar administratës shtetërore nga një aradhë e madhe individësh pa kurrfarë formimi dhe përgjegjshmërie, të cilët janë bijë të denjë të kësaj filozofie dhe të kësaj maskarade.

Edhe përpos sa më sipër, ka kaq shumë diskutime, kaq shumë debate, tryeza, analiza, shqetësime për arsimin universitar (dhe kjo me të drejtë) saqë duket sikur vetëm ai është problem në këtë vend.

Në fakt, nuk është kështu. Duke qenë se prej kohësh jam i angazhuar në arsimin e mesëm, mendoj se arsimi i mesëm, i cili shërben si trampolinë në atë të lartë, është po aq problematik, për të mos thënë që është edhe më shumë i tillë.

Sigurisht që problematika e arsimit të mesëm mbartet nga ai 9-vjeçar dhe thellohet maksimalisht në atë të lartë. Duket sikur kemi të bëjmë me një cikël të mbyllur ku problematikat ndjekin njëra-tjetrën sipas modelit të ortekut.

Në gjithë këto vite, çka ka reflektuar edhe në cilësinë e studentëve të arsimit universitar, kemi një dalje totale nga shinat dhe nga misioni i shkollës, gjë që e ka shndërruar arsimin e mesëm në një burokratizim të mësimdhënësve, ndërsa nxënësit i ka larguar përherë dhe më shumë nga thelbi edukues dhe arsimues, me parimin “mjafton që të vijnë në shkollë e të mos rrinë në rrugë”, ndërsa familja dhe institucione të tjera, që duhet të ishin në krahë të shkollës për të mirën e fëmijëve të tyre, në shumicën e rasteve janë totalisht indiferentë me parimin “ne i kemi sjell në shkollë, ju mbani përgjegjësi për ta”.

Natyrisht që problematikës i shtohet edhe një numër i konsiderueshëm mësuesish, të cilët sa vijnë dhe shtohen duke reflektuar pikërisht atë çka evidentuam më sipër në lidhje me arsimin e lartë.

Çështja e arsimit duhet të jetë një kambanë alarmi për çdo qeverisjeje, pavarësisht bindjeve politike. Degët e arsimit janë shndërruar në degë të dorës së tretë, duke mbledhur në vetvete nxënësit më të dobët të arsimit të mesëm, gjë që reflekton automatikisht edhe në cilësinë e mësimdhënësve.

Problematika është jashtëzakonisht e madhe, mjaft delikate dhe me një rëndësi jetike për të nesërmen tonë si shoqëri, mirëpo ajo që doja të tërhiqja vëmendjen nëpërmjet këtij shkrimi të shkurtër është se, ashtu si arsimi i lartë, edhe arsimi i mesëm ka një mori problematikash, të cilat, jo vetëm që duhen evidentuar, por edhe duhen zgjidhur, duke e nisur nga të bërit të tyre pjesë të debateve dhe të tryezave të diskutimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re