Skip to content

Problematikat që sjellin skuterët elektrik, rasti tragjik i Parisit

Në fillim të muajit që lamë pas, një grua 31 vjeçare humbi jetën në rrugët e Parisit, pasi u përplas për vdekje nga një qytetar që po ecte me një skuter elektrik (e-skuter).

Policia e arrestoi drejtuesin e mjetit dhe e dërgoi në organet e drejtësisë nën akuzën e vrasjes. Por vdekja tragjike e 31 vjeçares, ka prodhuar një debat të fortë në lidhje me sigurinë e këtyre mjeteve, që në shumë raste mund të kapin një shpejtësi të lartë mjaftueshëm, për t’i marrë jetën një njeriu.

Në rastin e Parisit, ka të paktën 15 mijë mjete të tilla që jepen me qira me një limit shpejtësie prej 20 km/h. Për shkak të aksidenteve, shumë autoritete kërkojnë që shpejtësia me të cilat ecin këto mjete të ulet dhe të mos lejohet përdorimi i tyre nëpër trotuare. Madje atje autoritetet kanë kërcënuar se do ta ndalojnë tërësisht lëvizjen e tyre, nëse nuk limitohet shpejtësia e skuterave në 10 km/h.

Dhe rasti i 31 vjeçares nuk është i pari në Francë, pasi në vitin 2019 u regjistruan qindra aksidente dhe disa të vdekur. Po ashtu pati një tjetër rast më 14 të muajit të kaluar, kur një grua gjeti vdekjen si pasojë e përplasjes nga një skuter elektrik, teksa ecte në një zonë për këmbësorët.

Në Shqipëri nuk ka patur raportime nga ana e policisë në lidhje me ndonjë aksident të rëndë, të ardhur si pasojë e skuterëve elektrik. Përpos kësaj, numri i të tilla mjeteve është rritur aq shumë, saqë lipset nevoja për krijimin e një kuadri rregullash apo shtimi i disa neneve në ligj, për qarkullimin e tyre në rrugët e qyteteve.