Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur për shkarkimin e gjyqtares Nure Dreni. Dreni është gjyqtarja që riktheu në detyrë, Luan Dacin, për të cilin SPAK nisi hetimet se kishte gënjyer për të shkuarën.
Nure Dreni është edhe një nga tre anëtaret e trupës gjykuese të çështjes së ish- ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri në Apelin e GJKKO, por tashmë ajo duhet të zëvendësohet nga një tjetër.
Ajo nuk ka mundur të justifikojë pasurinë dhe Komisioni ka marrë vendimi për shkarkimin e gjyqtares.
Në vitin 2019, Nure Dreni dha dorëheqjen nga gjykimi i dosjes së anëtarëve të bandës së Emiliano Shullazit, me argumentin se kishte qenë e angazhuar në një proces të mëparshëm ndaj anëtarëve të grupit.
Ndërkohë, po sot KPK ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Edlira Petri. Trupa gjykuese përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Xhensila Pine.
Komisioni nuk identifikoi probleme në pasuritë e zotëruara 100% nga gjyqtarja Petri, konkretisht për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2009 në vlerën 600 mijë lekë, depozitat bankare dhe llogaritë rrjedhëse në emër të saj. Relatorja Sanxhaktari tha gjithashtu se subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për shkollimin e vajzës së saj në një institucion arsimor jo-publik.
/shqip
