Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Marie Qirjazi u përball me barrë prove mbi disa transaksione të pasurisë, përfshi përfitimin dhe më pas shitjen e rreth 900 metra truall në qytetin e Sarandës dhe dyshime për fshehje pasurie.

Nga Vladimir Karaj

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjyqtares së Apelit të Tiranës, Marie Qirjazi gjeti një sërë problemesh në kriterin e pasurisë, përfshi dyshime për fshehje të pasurisë dhe shmangie nga detyrimet tatimore.

Gjatë relatimit të KPK-së në seancën dëgjimore të së hënës u vu në dukje si i dyshimtë përfitimi i tre sipërfaqeve të ndërtimit në qytetin e Sarandës dhe transaksionet që ishin kryer mbi to, mbi të cilat bazohej kryesisht pasuria e gjyqtares dhe e bashkëshortit të saj.

Qirjazi dhe avokatja e saj kundërshtuan rezultatet e hetimit dhe përmes një kërkese paraprake kërkuan rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera. Gjyqtarja vuri në dukje se ajo s’kishte qenë përfituese e vetme e këtyre sipërfaqeve të truallit dhe fajësoi vonesat në procesin e regjistrimit të pasurive për problemet e kontratave.

Trupa që hetoi Qirjazin u kryesua nga Genta Tafa (Bungo), me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin.  Vëzhguese ndërkombëtare ishte Elka Ermenkova.

Maria Qirjazi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Prej vitit 2013, Qirjazi e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Problemet me trojet

Relatori Roland Ilia vuri në dukje se ndaj gjyqtare Qirjazi kishte ardhur një raport negativ nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, sipas të cilit ajo kishte kryer fshehje pasurie, kishte bërë deklarime të pasakta dhe deklarime të rreme.

Ilia theksoi se pasuria e gjyqtares, e përbërë nga një apartament në Tiranë i blerë për 5 milionë lekë, një apartament në Sarandë dhe dy garazhe në këtë qytet, ishin financuar mbi përfitimet nga kontratat e sipërmarrjes mbi tre sipërfaqe trojesh të blera nga Bashkia e Sarandës me vendim të Këshillit Bashkiak.

Si burim i apartamentit në Tiranë ishte deklaruar kontrata e sipërmarrjes me një kompani ndërtimi në Sarandë për një truall me sipërfaqe 345 metra. Sipas deklarimit, nga kjo kontratë Qirjazi dhe bashkëshorti i saj kishin marrë 3 milionë lekë, ndërkohë që pjesa tjetër e vlerës ishte mbuluar nga të ardhurat e bashkëshortit dhe kursimet.

KPK e hetoi kontratën e sipërmarrjes dhe e gjeti atë problematike. Sipas relatimit, trualli ishte përfituar në vitin 2002 nga Bashkia e Sarandës, por regjistrimi i tij në hipotekë ishte bërë vetëm në vitin 2010. Sipas Komisionit kishte dyshime mbi një sërë veprimesh të kryera, për të cilat u kërkuan shpjegime nga gjyqtarja Qirjazi.

Ndër të tjera, KPK vuri në dukje se bashkëshortët Qirjazi nuk kishin pasur të drejta të vepronin si pronarë mbi truallin, kishin tjetërsuar destinacionin për të cilin e kishin marrë atë nga bashkia si dhe kishin kryer veprime tjetërsimi pronësie, pa pasur pronësi mbi të.

Po ashtu, kontrata e sipërmarrjes ishte në vetvete një kontratë shitjeje dhe se ishin shmangur detyrimet tatimore. Sipas Ilias, të ardhurat e siguruara nga kjo pronë nuk konsideroheshin si burim i ligjshëm.

Mbrojtësja e gjyqtares Qirjazi i cilësoi si të ligjshme të gjitha veprimet, ndërsa arsyetoi se kontrata e sipërmarrjes kishte qenë e vetmja mënyrë si mund të veprohej për shkak të bllokimit të procesit të regjistrimit të pronave në Sarandë. Ajo tha se kjo kishte qenë një mënyrë se si kishin vepruar edhe përfitues të tjerë të trojeve publike.

Shpjegimet e saj nuk qenë fort bindëse për trupën. Kryesuesja Genta Tafa Bungo këmbënguli që vetë gjyqtarja ta bënte mbrojtjen. Ndërsa Qirjazi tha se veprimet kishin qenë të ligjshme dhe se pagesa e tatimeve do të kryhej sapo prona të regjistrohej përfundimisht në emër të blerësit, duke shtuar se ky i fundit nuk kishte kryer procedura regjistrimi për shkak të harresës.

Situatë e ngjashme ishte edhe për një truall tjetër po në Sarandë, i përfituar në mesin e viteve 90’. Trualli ishte lënë me një kontratë sipërmarrje dhe me paratë e përfituara prej tij ishin përdorur për blerjen e një lokali. KPK rivuri në dukje problemet e hasura mbi mënyrën e përfitimit dhe tjetërsimit.

Një truall i tretë në Sarandë, prej 400 metrash, i zotëruar përgjysmë me një person të tretë po ashtu kishte të njëjtat probleme, përfshi sipas KPK-së dyshimin mbi përfshirjen reale të personit të tretë, i cili nuk rezultoi të kishte kryer pagesën.

Një truall mbi 2 mijë metra në Finiq, përfituar edhe atje prej ish-komunës, po ashtu rezultoi me probleme të ngjashme si dhe nuk ishte deklaruar. KPK vuri në dukje se trojet ishin deklaruar pjesërisht në deklarimet vjetore, se kishte kontradiktë mes deklarimit të njërës prej sipërfaqeve të tokës dhe mos deklarimit të sipërfaqeve të tjera me arsyetimin se këto nuk ishin në pronësi edhe pse situata ligjore ishte e ngjashme.

Kryesuesja e trupës i shtroi si pyetje dhe konstatim Qirjazit nëse kishte të bënte puna e saj si gjyqtare me këto përfitime. Ajo pyeti edhe nëse ajo kishte pasur apo jo çështje ndaj Bashkisë së  Sarandës.

Qirjazi tha se mesa kujtohej, nuk kishte pasur çështje, ndërsa këmbënguli se përfituese nuk kishte qenë vetëm ajo dhe se në vendimet e Këshillit Bashkiak ishin në një rast mbi 700 dhe në një tjetër mbi 2 mijë përfitues.

Deklarimet cash dhe të ardhurat

Komisioni relatoi gjithashtu se për 16 milionë lekë të ardhura të bashkëshortit si pronar i një biznesi të vogël prej vitit 1994, nuk kishte dokumentacion provues dhe se si të ligjshme do konsideroheshin vetëm ato që mund të dokumentoheshin. Kjo i bënte një sërë shpenzimesh të familjes të pambuluara me burime të ligjshme.

Në relatim po ashtu u vu në dukje se deklarimet cash të gjyqtares kishin pasaktësi dhe disa prej transaksioneve që ishin raportuar si të kryera, nuk ishin deklaruar si gjendje cash.

Qirjazi këmbënguli se familja kishte pasur të ardhura dhe se ajo e bashkëshorti kishin punuar për 40 vjet. Ajo vuri në dukje se një pjesë e provave mungonin, pasi institucionet nuk i kishin më këto dokumente dhe se ajo dhe bashkëshorti nuk kishin ruajtur të tilla. Ajo tha se norma e fitimit e llogaritur nga KPK për bashkëshortin si biznes i vogël ishte më e ulët se sa kishte qenë, ndërsa solli disa fatura pagesash të sigurimeve shoqërore që kishte ruajtur.

Por anëtarja e KPK-së, Valbona Sanxhaktari tha se baza mbi të cilën ajo po hetohej ishin deklarimet e saj vjetore. Sipas Sanxhaktarit, këto para që supozohet se ishin nga kursimet duhej të ishin deklaruar në deklarimin para fillimit të detyrës në vitin 2003 dhe në vitet në vijim.

Dyshime u ngritën gjithashtu edhe mbi çmimin e blerjes së apartamentit në Tiranë. Ilia tha se në të njëjtën zonë, kostoja e ndërtimit në vitin kur apartamenti ishte blerë për 5 milionë lekë kishte qenë sipas Entit Kombëtar të Banesave 7 milionë lekë, por gjyqtarja arsyetoi se ulja në çmim ishte për shkak të pozicionit jo të favorshëm të apartamentit, të cilit nuk i binte drita dhe se një pjesë e sipërfaqes ishte e papërdorshme. Ajo po ashtu tha se rol kishte luajtur edhe fakti që pagesa ishte bërë në dorë dhe në një kohë të shpejtë.

Një apartament 21 metra katrorë në Sarandë i padeklaruar asnjëherë doli po ashtu si problem në procesin ndaj gjyqtares. Në seancë u la të kuptohej se kontrata e marrjes së apartamentit në këmbim të truallit 345 metra katrorë ishte e dyshimtë. Relatori tha se nga kontrata e sipërmarrjes e vitit 2003 kuptohej se palët ishin shlyer në atë kohë dhe nuk kishin më detyrime, ndërsa kontrata për apartamentin si përfitim për shkak të truallit nuk ishte deklaruar asnjëherë.

Gjyqtarja pretendoi se kontrata e apartamentit ishte formalitet që do të mundësonte kalimin e pronësisë së truallit nga ajo dhe bashkëshorti të kompania që kishte kryer punimet dhe se apartamenti ishte shitur menjëherë dhe paratë i ishin kthyer kompanisë.

Ajo këmbënguli se apartamenti kishte mbetur në emër të saj dhe bashkëshortit vetëm për shkak se kompania nuk kishte kryer regjistrimin, ndërsa e lidhi këtë mosregjistrim edhe me vonesën në shlyerjen e detyrimeve tatimore.

Vëzhguesja ndërkombëtare i vuri në dukje gjyqtares se si juriste, ajo e kishte kuptuar se pavarësisht titullit që kishte kontrata e sipërmarrjes, ajo në brendësi ishte një kontratë shitje dhe këmbënguli të dinte qëndrimin mbi mospagimin e tatimit edhe pse përfitimi nuk kishte qenë i vogël.

Qirjazi përsëriti se tatimi do të paguhej kur të përfundohej regjistrimi i pasurisë në emër të blerësve.

Vetë Qirjazi pranoi pasaktësitë në deklarime, por pretendoi se ajo nuk kishte pasur për qëllim fshehje dhe as deklarimin e rremë. Në fund, Qirjazi tha se priste rihapje të hetimit.

“Qëndrimi përfundimtar në këtë fazë duket i tepërt nëse nuk hapen hetimi për dy kriteret e tjera,” tha ajo. Seanca  e radhës u njoftua në 25 shkurt, në orën 9.30.