Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë kanë proceduar penalisht 6 persona, për grumbullime të paligjshme në kundërshtim me masat e nxjerra nga organet shtetërore në gjendjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Mes të proceduarve është edhe kryetari i Partisë Demokratike në Divjakë Julian Gjini, si dhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji, dhe M. S., 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike.

Po ashtu janë proceduar edhe 2 shitës dhe një fermer, po nga Divjaka.

Policia njofton se ditën e djeshme, Salianji, Gjini dhe 32-vjeçari, në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re