Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, është shprehur se fjalimi i kryeministrit Edi Rama sot në Kongresin e PS-së, ishte një parapërgatitje e shqiptarëve për një “JO” të hapjes së negociatave.
Shkak, sipas Berishës, nuk është Greqia, por Edi Rama që ka vendosur interesat e tij mbi ato të qytetarëve, dhe theksoi se me “Proces Integrimi me Edi Ramën nuk ka”.
“E vërteta është se proces integrimi me Edi Ramën, nuk ka.
E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një JO për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën.
Ajo që ndodh me Belerin është dhunimi më flagrant i të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Dhunim për interesa mafioze, kanë folur për Olta Xhaçkën, jo mo jo, nuk është vetëm Olta Xhaçka, janë Olsi Rama, Edi Rama dhe klanet e tyre që janë vërsulur me tërbim ndaj pronave në Himarë dhe në të gjithë bregun.
Ai nuk foli se kriteret demokratike janë kritere themelore në procesin e integrimit, sepse vetë Komisioni Europian, zyra direkt e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, denoncoi publikisht bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, çka do të thotë grusht shteti brenda shtetit. Marrje e pushtetit të parlamentit. Do të thotë refuzim kategorik i kontrollit mbi të për afera të tmerrshme vjedhjeje.
Me këtë fjalim ai po përgatit izolimin e plotë të Shqipërisë.
Se ne qenkemi në rregull, por se Europa nuk është në rregull. Se Europës njëherë i del një problem diku, një herë një problem tjetër.
Çfarë problemi i del Europës kur ne shkelmojmë Kushtetutën tonë? Çfarë problemi i del Europës kur ky firmos 17 vendime në 24 orë për të vjedhur me djegësin e Tiranës deri në 1 miliard? Çfarë problemi ka Europa, kur ky vrapon me një gërshërë të thyer për të promovuar vjedhjen me rritjen 83 herë të çmimeve? Cili është problemi i Europës në këtë rast?
Çfarë problemi ka Europa kur rriten me 25 herë tenderimet sekrete nga zyra e tij? Kanë bërë një ligj, të vjedhin fshehtas. Si qenka problem i Greqisë ky apo problem hipotetik i Europës?
Ne rrezikojmë me datën 12 dhjetor të marrim një karton të kuq. Dhe pse? Vetëm e vetëm për shkak të qëndrimeve mafioze të Edi Ramës, i cili interesat e pasurimit të tij, interesat e pasurimit të klaneve të tij, i vendos mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.
Si mund të jesh shembull ti sot ku janë 120 mijë dosje, ku shqiptarët kanë humbur të drejtën e procesit ligjor. Për të patur një proces ligjor duhet të paguajnë sa qimet e kokës. Janë vetëm në gjykatën e Apelit 60 mijë dosje dhe nga 70 gjykatës janë vetëm 17, dhe thotë se Europa duhet ta marrë shembull”, tha Berisha.