Fillon gjyqi më i madh i mafies italiane në më shumë se 30 vjet dhe prokurorët shpresojnë t’i japin një goditje organizatës kriminale Ndrangheta, tentakulat e së cilës po përhapen në mbarë botën, raporton AFP.

Më shumë se 350 anëtarë të dyshuar të mafias, politikanë, avokatë, biznesmenë dhe të paditur të tjerë do të paraqiten para një gjykatësi në një sallë të madhe të rinovuar, posaçërisht në qytetin jugor të Kalabrisë, Lamezia Terme – zemra e territorit të Ndrangheta-s.

Prokurorët do të kërkojnë të provojnë një rrjet krimesh që datojnë që nga vitet 1990 që përfshin vrasje, tregti droge, zhvatje, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Gjyqi është “themeli i ndërtimit të një muri kundër mafies në Itali”, tha për AFP prokurori antimafia Nicola Gratteri.

Në Itali, të ashtuquajturat “gjyqe maksimale”, që përfshijnë të pandehur të shumtë dhe akuza të panumërta, konsiderohen burimi më i mirë gjyqësor kundër organizatave të ndryshme kriminale në vend.

Ndrangheta, e cila kontrollon rrjedhën e kokainës në Evropë, konsiderohet si organizata më e fuqishme kriminale në Itali.

Gjyqi i parë i madh italian u mbajt në Palermo në mes të viteve 1980 kundër mafies siciliane Cose Nostra dhe rrjetit të saj të familjeve të lidhura me njëra-tjetrën.

U dënuan 338 persona, por mafia më vonë, në shenjë hakmarrjeje vrau prokurorët Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Gjyqi i ri, me 355 të pandehur dhe më shumë se 900 avokatë, pritet të zgjasë të paktën një vit.

Ndrangheta, në të gjitha fushat e jetës publike

Ndrangheta ka zgjeruar aktivitetet e saj dhe nuk është përfshirë vetëm në tregtinë e drogës, zhvatje dhe fajde por gjithashtu përdor kompani për të riinvestuar fitime të paligjshme në ekonominë e ligjshme.

Në shumë pjesë të Kalabrisë, Ndrangheta ka depërtuar pothuajse në çdo fushë të jetës publike, nga bashkitë e qytetit dhe spitalet, te varrezat dhe madje edhe gjykatat, thonë ekspertët.

Autoritetet besojnë se ka 150 familje Ndrangheta në Kalabri dhe të paktën 6,000 anëtarë dhe degë në rajon. Besohet të ketë mijëra të tjerë në botë, por këto vlerësime nuk janë të besueshme.

Kjo organizatë kriminale llogaritet të fitojë më shumë se 50 miliardë euro në vit, sipas Gratterit, i cili e quan atë “organizata e tillë më e pasur në botë”.

Prokurori e shpjegon Ndrangheta-n si një rrjet familjesh, secila prej të cilave ka pushtet mbi vartësit e saj.

“Unë duhet të filloj me idenë se ekziston një organizatë, si në biznes, sikur të ishte shumëkombëshe, me një shef dhe pastaj, sipas piramidës, me të gjithë anëtarët e tjerë”, shpjegoi Gratteri nevojën për një gjyq të madh.

Bashkëpunimi mafioz me shtetin

Gjyqi aktual ka për qëllim familjen Mancuso dhe rrjetin e saj të bashkëpunëtorëve që kontrollojnë zonën Vibo Valentia në Kalabri.

Të pandehurit përfshijnë një numër avokatësh, politikanësh, ish-parlamentarë, kryetarë bashkish, zyrtarë publikë dhe biznesmenë.

“Gjëja mbresëlënëse është fuqia që banda Mancuso ka treguar në bashkëpunim me aparatin shtetëror që ishte fjalë për fjalë në dispozicion të tyre,” tha Gratteri pas valës së arrestimeve në dhjetor 2019 në Itali dhe Evropë, e cila çoi në këtë gjyq.

Kriminologu Federico Varese i Universitetit të Oksfordit tha se gjyqi pasqyron kontrollin e përhapur të Ndrangheta-s që është rrënjosur në komunitet dhe përfshihet në çdo veprimtari të ligjshme dhe të paligjshme.

“Fuqia e vërtetë e këtyre familjeve mafioze është se ata kanë kontroll mbi territorin,” tha Varese. “Nëse dëshironi të hapni një dyqan, nëse doni të ndërtoni diçka, duhet t’i kaloni ato. Ata janë qeveria”, shtoi Varese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re