Kryetari i Partisë Demokratike së degës së Durrësit, Joni Myshketa, ka denoncuar Bashkinë Durrës, se prej 1 viti ka lënë 2500 familje pa bonus qiraje, duke i detyruar qytetarët të kthehen në banesat e tyre të dëmtuara nga tërmeti.

Myshketa shprehet se i gjithë procesi i rindërtimit sipas tij ka dështuar, ndërsa shton se “edhe paratë e Ministrisë së Rindërtimit kanë shkuar në drejtim të paditur”.

“Plot 1.2 miliard euro nga vendet mike në mbarë botën, shumë për të cilën sot kryeministri dhe 40 hajdutët e tij, ngrenë duart nga qielli, duke i lënë banorët të rikthehen në gërmadhat që desh u morën jetën’, shprehet ai.

Ndër të tjera ai bëri thirrje për marrje të menjëhershme të masave për këtë situatë, për shmangien e një tragjedie të dytë, pasi në banesat ku nuk duhet lejuar kalimi pranë tyre, tashmë po jetojnë njerëz.

Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, dega Durrës, Joni Myshketa

Klithmat e qytetarëve në derën e Bashkisë së Durrësit ditë më parë, duhet ta shkundnin nga themelet çdo qytetar dhe të kuptonin se ato klithma, janë këmbana e alarmit për atë që na pret.

Ndërkohë që Rama me njerëzit e tij, po na prezantojnë 3D-të imagjinare, këtu në Durrës 3D janë ulur këmbëkryq, dëshpërimi nga pamundësia, drobitja nga shpresa dhe dënimi i qeverisë për popullin e saj!

Loja e shëmtuar midis Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, po mban në ajër si një top ping-pongu, 2500 familje, dhe t’i flakë rrugëve sa herë u mbarojnë zgjedhjet.

1 vit borxhe për 2500 familje, 1 vit borxhe edhe për qira-marrësit po detyrojnë qytetarët të kthehen në banesat e tyre të cilat mund të shemben pa një pa dy!

Kjo është dhurata e kryeministrit për qytetarët e Durrësit që e zgjodhën dhe si deputet të qarkut.

Prej mëse 1 viti Bashkia Durrës bën të paditurën se nuk ka një përgjigje nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, kur kjo e fundit i ka bërë të qartë që një vit më parë se “financimet për bonus qiraje do të ndërpriteshin që prej muajit Mars të 2023-shit dhe që prej atij momenti është Bashkia Durrës përgjegjëse për t’i siguruar këto bonuse“. Kjo e zeza në të bardhë e publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës.

Ashtu si ish-ministri i saj Arben Ahmetaj edhe paratë e Ministrisë së Rindërtimit kanë shkuar në drejtim të paditur. Plot 1.2 miliard euro nga vendet mike në mbarë botën, shumë për të cilën sot kryeministri dhe 40 hajdutët e tij, ngrenë duart nga qielli, duke i lënë banorët të rikthehen në gërmadhat që desh u morën jetën.

Për deputetin tonë, kryeministrin ogur-zi, tashmë qytetarët e braktisur shihen vetëm si letra votimi, shifra të cilat ngopin egon narciste të tij.

Bashkëkombasit e mi, do i duhen ogur-ziut të qeverisë vetëm 2-muaj përpara zgjedhjeve, duke dalë e duke premtuar para me thasë e lugën e florinjtë e cila mbetet një retorike shterpë e një politikani në arrati ose burg, si Antarët e shumtë të bandës së tij, që për fat të keq nuk është muzikore.

Buxheti i bashkisë, produkt i taksave të qytetarëve nuk mund të përballojë një barrë të tillë fiskale e cila është tagër drejtpërdrejtë e qeverisë. Ai duhet të shkojë për ndërtimin e shkollave të reja, ku kemi fëmijë që akoma sot nën aspiratën për t’iu bashkuar Evropës, zhvillojnë mësim me 2 dhe 3 turne.

Një sërë shërbimesh për fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, të moshuarit apo të pamundurit e tjerë, kanë nevojë për shërbimet të cilat u mohohen, se qeverisë antikombëtare i duhet të mbyllë gropat thithëse të korrupsionit galopant.

Procesi i rindërtimit ka dështuar! Duhen marrë masa urgjente për shmangien e një tragjedie të dytë, pasi në banesat ku nuk duhet lejuar kalimi pranë tyre, tashmë po jetojnë njerëz dhe në rast të një tërmeti të radhës, këto objekte mund të kthehen në varreza kolektive.

Dikush duhet të përgjigjet për shpërdorimin e fondeve të rindërtimit. Dikush duhet t’u thotë qytetarëve të pastrehë e katandi, se përse paratë e rindërtimit përdoren për të financuar inceneratorët, e alokohen diku tjetër pa u mbyllur procesi i cili sipas deklarateve të minsitrit të kohës, duhej të përfundonte në vitin e largët 2022.

Si këshilltar bashkiak të opozitës, kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me kryerjen e trasnparencës së procesit të rindërtimit në Durrës dhe shumica socialiste me arrogancën e kartonit, e mohoi këtë të drejtë kushtetuese të opozitës, me pretekstin se duhej një punë shumë voluminoze, pra duke na qare hallin ne për orët e vona që do kalonim përmbi dokumenta e jo për fatin e 2500 familjeve.

Deklaroj sot përpara jush, me vendosmërinë që kemi për të çuar misionin tonë përpara, se në mbledhjen e radhës, në emër të Këshilltarëve Bashkiak të Partisë Demokratike, do të kërkoj një interpelancë me kryetaren e bashkisë përsa i përket çështjes në fjalë.

Ftoj organet e drejtësisë të marrin masat e menjëhershme për një hetim të plotë në lidhje me shpërdorimin e fondeve nga ana e qeverisë, bashkisë, e kujtdo institucioni përgjegjës për situatën alarmate e jetësore të krijuar.

Ftoj çdo qytetar të Durrësit, të ngrejë çdo shqetësim që ka në lidhje me çdo problematikë që has në shkelje të së drejtës së tij, si nga pushteti qendror ashtu dhe ai lokal.

Partia Demokratike është dhe do jetë në krah me çdo qytetar të ndershëm pa asnjë dallim!

Ju faleminderit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re