Ekonomisti Pano Soko, gjatë një interviste të dhënë në studion e lajmeve të televizionit FaxNews, foli rreth procesit të Rindërtimit të banesave të dëmtuara prej tërmetit të vitit të shkuar. Soko u shpreh se këto vonesa lidhen me interesat e kryeministrit të vendit, i cili do ta përdori këtë proces si një element kyç të fushatës së tij për zgjedhjet e ardhshme.
Gjithashtu ai theksoi se nëse puna për ndërtimin e banesave do të bëhej në muajt Prill dhe Maj, atëherë ky proces do të sfumohej nga Covidi dhe nuk do t’i shërbente interest të kryeministrit. Soko e përkufizon këtë fenomen si një produkt të mos funksionimit të institucioneve dhe varësisë e tyre nga individë të caktuar.
Për sa i përket mësimit që shoqëria duhet të marrë prej fatkeqësisë së tërmetit dhe pandemisë sipas Sokos është që të mësojë të zgjedhë njerëz që janë të aftë në krye dhe jo të shkojë pas fjalimeve të bukura dhe karizmës së liderve politikë.
“Tani fillon procesi dhe njerëzit fillojnë dhe punojnë. Nuk i interesonte në prill dhe maj pasi njerëzit e kishin mendjen te Covidi dhe gjërat kishin stopuar, nuk ecnin. Pra e gjitha shkon në bazë të humorit të individit dhe nuk funksionojnë institucionet. Këtu është një individ dhe interesi i tij ose një grup individësh me interesat e tyre. Kjo është arsyeja kryesore se pse proceset në këtë vend nuk funksionojnë dhe nuk ecin përpara.
Unë po flas nga pikëpamja e qytetarit, ne si shoqëri kemi një detyrim ndaj atyre njerëzve ndaj dhe e kemi marrë këtë angazhim përsipër. Nuk janë lekët as të qeverisë, as të Edi Ramës,as të Arben Ahmetaj, por janë lekët e qytetarëve. Ne paguajmë taksa dhe kemi rënë dakort që një pjesë e tyre të shkojnë për rindërtimin e shtëpive të atyre njerëzve. Ne si shoqëri e kemi bërë punën tonë, tani ka të bëjë më shumë me drejtimin politik.
A do të mbarojë ky proses? Shpresoj se do të ndodhë, nuk dua të bëj kasandrën dhe të them se do të ketë një neglizhencë kaq të madhe sa mos të mbaroj kurrë. Shpresoj që dimrin e ardhshëm ata qytetarë të futen në banesat e tyre.
Tërmeti i 26 nëntorit dhe kriza e pandemisë janë një mësim i madh që kur ne zgjedhim njerëz në krye mos t’i zgjedhim as për karizmën e tyre, as për fjalorin e tyre, as për pamjen ekstravagante dhe jetën mondane, por t’i zgjedhim si të aftë për të menaxhuar krizat që dalin përpara”, tha Soko.
/faxweb
