Nënkomisionerja e KQZ, Lealba Pelinku, ka deklaruar se në disa qendra votimi ka problematikë me pajisjen e identifikimit elektronik, e për këtë arsye, ky proces po kryhet manualisht.

Në një deklaratë për mediat, ajo tha se bëhet fjalë për një numër të vogël qendrash me këtë problematikë, ndërsa theksoi se në 99% të qendrave të votimit, identifikimi elektronik ka probleme.

“Lidhur me përdorimin e teknologjisë asaj çfarë i takon identifikimit elektronik, ashtu siç është raportuar më parë, bëhet fjalë për një mbulim pothuajse në masën 99% të qendrave të votimit edhe më shumë.

Deri dje situata na jepte një panoramë të mbulimit 100% të të gjitha qendrave të votimit me operatorë ose angazhimi i operatorëve ishte në masën 100%. Në fakt për problematikat që lidhen me vështirësitë që kanë krijuar kushtet klimatike në zonën e Shkodrës, bëhet fjalë për 3 qendra votimit në Shkodër që ka qenë e pamundur të përdoret pajisja e identifikimit duke qenë që operatori për shkak të pamundësisë së transportit nuk është paraqitur në qendrën e votimit, në një qendër dhe në dy, ato që dihen ku nuk është zhvilluar procesi i votimit.

Kemi dhe një qendër në Durrës dhe në Dibër por që na janë bërë me dije në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së sotme dhe rrjedhimisht ka qenë e pamundur zëvendësimi i operatorit. Kemi pasur edhe dy qendra votimit ku procesi ka nisur normalisht me përdorimin e pajisjes dhe për shkak të problematikave është kaluar në atë manual”, deklaroi Lealba Pelinku. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re