Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me tensionet e krijuara brenda partisë pas hapjes së garës për lidershipin  e ri, ku pritet edhe përplasja më e fundit në radhët e demokratëve. Kjo për shkak se vendimi i kryesisë duhet të konfirmohet në Këshillin Kombëtar dhe për këtë 17 anëtarë të kryesisë janë kundër.

Bardhi për ‘News 24’ tha se ai në cilësinë e sekretarit duhet të respektojë vendimin e kryesisë dhe hapat që parashikon statuti për kryetarin e ri, pasi në të kundërt sipas ti PD do të rifutej në ngërçin e legjitimitet.

AI theksoi se e rëndësishme për PD pas zgjedhjet për kryetarin e ri, PD duhet të dalë një parti më e madhe.

Pjesë nga biseda:

Si do bëhet riorganizimi i PD-së?

Kemi pasur një mbledhje kryesie ku nuk ka pasur vetëm një propozim të grupit parlamentar apo të kryetarëve të degëve. Kishte disa propozime nga anëtarët e kryesisë. Jam njohur me vendimin e 17 anëtarëve që kanë propozuar 29 korrikun si datë të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e partisë dhe kanë gjykuar që në fillim duhet të zgjidhet kryetari dhe më pas strukturat. Në cilësinë time si sekretar i përgjithshëm respektoj vendimin e kryesisë, por do jem i detyruar të ndjek hapat që parashikon statuti i partisë. Për mua nuk ka rëndësi se si quhet kryetari i ri i PD-së. Ajo që ka rëndësi për PD-në është legjitimiteti për kryetarin e ri. Ne për një vit e gjysmë kemi qenë në një ngërç legjitimiteti. Ka pasur institucione paralele. Ky ngërç e ka dëmtuar PD-më. Procesi që do të duhet të organizojmë do të duhet të jetë sipas statutit dhe i pakontestueshëm. Në të kundërt PD do të rifutej në ngërçin e legjitimitetit. Jam duke vlerësuar të gjitha detyrimet sipas statutit të partisë.

Çfarë thotë statuti, çfarë hapash do të ndërmerrni ju?

Nuk dua të hyj në detaje të statutit pasi nuk e kam mbaruar vlerësimin e plotë që do t’ia përcjell kryesisë së partisë. U krijua një tymnajë sikur grupi kërkon të shtyjë procesin e organizimit apo që grupi u bashkua me Sali Berishën. Ne nuk kemi pasur asnjë ndasi mbi nevojën që ka PD për tu riorganizuar. Kemi gjykuar që procesi do të duhet të kryhet në kohën sa më të shpejtë të mundshme. Mund të përfundonte edhe në shtator. E rëndësishme është që nga ky proces të dilnim një parti më e madhe, jo më e vogël. Në gjykimin tim dhe të grupit parlamentar për këtë kishte nevojë edhe për një fazë ndërgjegjësimi në bazë.

Statuti thotë që për vendime të rëndësishme duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar. Edhe komisioni që organizon zgjedhjet, miratohet nga Këshilli Kombëtar. A është ky Këshill funksional? A duhet të mblidhet Këshilli?

Kam organizuar një palë zgjedhje për kryetarin e partisë. Është e drejtë që vendimet më të rëndësishme në parti merren nga këshilli kombëtar. Është këshilli ai që drejton partinë mes dy kuvendeve. Sipas statutit, komisioni zgjedhor miratohet nga këshilli kombëtar. Ky është vlerësimi që unë jam duke bërë dhe çdo shqetësim timin do ta ndaj brenda kryesisë.

PD është pa kryetar dhe nënkryetar, kryesia është e vetmja që merr vendime. Nëse kryesia vendos të ngrejë grupet e punës për 29 korrikun, çfarë mendoni ju për këtë?

Secili prej institucioneve brenda PD-së, që nga kryesia, këshilli kombëtar, sekretari i Përgjithshëm do të duhet të përmbushin të gjitha përgjegjësitë që i njeh statuti. Ngritja e grupeve të punës dhe organizimi janë faza që do të duhet të kryhen, por duhet të zbatohet statuti.

Nëse kryesia vendos të mos respektohet statuti, çfarë ndodh?

Unë uroj shumë që e gjithë situata të mos përfshihet në një ngërç. Do të ishte një ngërç që do ta dobësonte PD-në. Ne nuk mund të kemi një standard për të tjerët dhe një standard për vete. Duhet të kemi të njëjtin standard. Ne nuk e kemi njohur si të ligjshëm mitingun që mbajti Berisha në 11 dhjetor. Argumenti që ne dhamë ishte zbatimi i statutit dhe sipas statutit që të mblidhej një Kuvend i rregullt i partisë, procesi duhet të kalonte nga sekretari i përgjithshëm dhe duhet të kishte një vendim të Këshillit Kombëtar që thërriste mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.

Basha me kandidimin e tij brenda PD-së mund ta çojë këtë forcë në fitore?

Basha ka thënë të vërtetën kur tha se nuk është larguar ndonjëherë nga politika. Është deputet dhe aktiv në politikën shqiptare. Sa i përket kandidimit, për aq informacion sa unë kam, nuk di që Basha të ketë shpallur kandidaturën e tij për kryetar. Nuk mund të jap një vlerësim duke folur me “nëse”. Sa kohë jam i përfshirë në proces do ishte e vështirë që të shprehja opinionet e mia për kandidatura të caktuara.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re