Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda mirëpriti në takim një delegacion të Policisë së Italisë, që kryesohej nga Prefekti Alessandro Giuliano, Drejtor Qendror i Antikrimit në Departamentin e Sigurisë Publike.

Vizita e Prefektit, pas vizitës në Romë, disa ditë më parë, të Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda dhe Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati.

Prioritet i këtij takimi ishte diskutimi mbi hapat konkretë që do të ndërmarrin në vazhdim te dyja policitë, me objektiv forcimin e luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Drejtor Proda dhe Prefekti Giuliano vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, veçanërisht ndërmjet Policive Kriminale.

Ky bashkëpunim ka rezultuar me krijimin e një sërë skuadrash hetimore të përbashkëta, si dhe me finalizimin e operacioneve kundër trafikimit të lëndëve narkotike, për goditjen e organizatave kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Drejtor Proda e siguroi Prefektin Giuliano se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me partnerët, mbi baza besueshmërie dhe profesionalizmi.

Më tej, Prefekti Giuliano zhvilloi një takim me drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe me drejtuesit e drejtorive të këtij departamenti.

Gjatë takimit, Prefekti vlerësoi vendosmërinë dhe kapacitetet hetimore e profesionale të Policisë shqiptare, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh dhe sinjalesh, pa barriera.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko