Ndryshimet demografike, kërkesat e tregut, sfidat ekonomike dhe të tjerë elementë kanë sjellë si rrjedhojë braktisjen graduale të disa profesioneve jetike për shoqërinë. Vendit i mungojnë inxhinierët e pyjeve, gjeologët, agronomët, mësuesit e shumë të tjerë. Në këto kushte, nevoja për të marrë masa me efekt afatgjatë, kthehet në emergjencë.

 

POLIKRON DHOQINA

SHEF I DEPARTAMENTIT TE FIZIKES, FAKULTETI I SHKENCAVE

 

“Nuk diskutohet që zgjidhja të kërkohet në nivel universiteti e aq më pak departamenti. Duhen politika më serioze, me ndikim afatgjatë. Sot trendi në përgjithësi në botë është drejt profesioneve më pak të lodhshme dhe më shumë fitimprurëse. Një pjesë e studentëve të mirë ikin jashtë shtetit, nuk është e njëjta ekonomi sot krahasuar me 10 vjet më parë. Zvogëlohet numri i maturantëve që vijnë. Një pjesë e mirë e tyre po ashtu ndjekin arsimin privat sepse ofrojnë bursë etj. Të gjithë këta janë faktorë që ndikojnë. Zgjidhje do të kishte vetëm me politika ekonomike të qeverisë, afatgjata. Rroga që do të ketë kur të dalë në treg është e rëndësishme.”

 

Pedagogu Polikron Dhoqina vëren se edhe në disa programe që lidhen me mjekësinë, gjithashtu ka patur rënie të ndjeshme të studentëve.

 

“Ky është viti i tetë për mua në krye të departamentit të fizikës. Ka edhe degë që janë mbyllur fare. Në tre vitet e fundit, studentët që vijnë nuk i kalojnë 15. Jap mësim në disa degë të fakultetit të shkencave. Vitet e tjera bioteknologjia ka patur më shumë se 80 studentë, sivjet është 52, edhe kjo si degë e kërkuar është përgjysmuar. Kimia ushqimore po ashtu. Nëse para tre vjetësh ishin 14 ose 16 grupe laboratori në përgjithësi, sivjet janë katër.”

 

Sa i takon debatit mbi profilizimin e universiteteve, pedagogët shprehen se ky është një proces i kryer tashmë ndërsa masat që duhet të ndërmerren për të përballuar sfidat e arsimit të lartë duhet të konsiderohen me seriozitet dhe pa humbur kohë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re