Neritan Ceka iu përgjigj deklaratave të bëra dje nga Kryeministri Rama, duke thënë se flet me gjuhën e Elisa Spiropalit, ndërsa e sfidon në një garë sa i takon moshës prej 70- vjeçari, që Rama i përmendte.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ceka tha se qytetarët nuk duhet të dalin në votime në 30 qershor, duke treguar qytetari dhe të mos bëhen pjesë e një teatri të pështirë. 

Gjatë një takimi elektoral në Kolonjë, Kryeministri Rama tha se “e kishte zënë tartakuti Neritan Cekën që mallkonte sikur kishte gërmuar gjithë natën te filxhani i Monikës, 70 e kusur vjeç, profesor me libra, dukej sikur kishte dalë xhindi nga filxhani”.

Kryeministri Rama ka komentuar deklaratën tuaj, bërë pak ditë më parë në media, kur tha sot se: “Neritan Ceka mallkonte sikur kishte gërmuar gjithë natën te filxhani i Monikës, 70 e kusur vjeç dukej sikur kishte dalë xhindi nga filxhani”. Keni një koment për këtë?

Kjo është një deklaratë që më ngre edhe më shumë aksesin në rrjete sociale dhe në median shqiptare, një shkencëtari të harruar kohët e fundit, por që u kujtua Presidenti i Kosovës para dy ditëve dhe e dekoroi me urdhrin më të lartë të Kosovës.

Ndërkohë, dëgjoj cilësime që natyrisht janë marrë nga fjalori i Spiropalit. Për sa i takon asaj që thotë plaku 70- vjeçar, e ftoj zotin Rama në një sfidë modeste, ku të dojë ai, në një garë 50m, 100m, në ngjitje shkallësh deri te kati i parë nëse ngjitet dot para meje. Ndërsa për sa i përket shkallës së kulturës gjuhësore, besoj se nuk kam asnjë lloj gare që t’i ofroj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re