Ish-rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj deklaroi në “Quo Vadis” se asnjë qeveri nuk e ka pasur prioritet arsimin, ndryshe nga ç’pretendojnë.

 

Ai ngriti edhe shqetësimin e largimit në masë të dijes njerëzore nga Shqipëria.

 

“Kush thotë që e ka pasur prioritet arsimin, ia ka futur kot. Asnjëherë, arsimi nuk ka qenë prioritar. Bashkë me të, është ajo që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare, shpërbërja. Na ikën mësuesit më të mirë, shkencëtarët më të mirë. 25 për qind e forcave intelektuale, dija njerëzore, ndodhet në një efekt gati 50 për qind me këtë që kemi ne, ndodhet jashtë, në diasporë. Diaspora jonë e ka parë që Shqipëria nuk është një vend që mund të jetohet sepse krijon problematika të mëdha të sigurisë së jetës, shoqërore, shëndetësore etj. Shqipëria po plaket sepse ata që e shtojnë popullsinë dhe i japin dinamik po merren nga vende shumë të zhvilluara. I rritim fëmijë tanë, të cilët sot i shfrytëzon Gjermania e Italia.”

 

Më tej, Rrokaj ka treguar arsyet që sipas tij kanë çuar në dëmtimin e arsimit të lartë, njëra prej të cilave është edhe krijimi i universiteteve private.

 

“Universitetet private nuk lindën si nevojë e një komplimentariteti të pamundësisë së publikut për të realizuar edukimin, por u konsideruan si mjete për të siguruar një treg si gjithë tregjet e tjera. Qeveritë, në pamundësi për të furnizuar universitetet publike me atë që iu duhet, ia lanë privatit ta zhvillonte këtë sektor.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re