BERAT, 16 mars – Në takimin e zhvilluar në qytetin e Beratit nga kryeministri, Edi Rama me tur operatorët turistikë të këtij qarku, mori fjalën edhe zëvendëspresidenti i Federatës Italiane të Raftingut, Passerini Mossina Enzo i cili vlerësoi punën e qeverisë por edhe bukuritë e Shqipërisë në sektorin e turizmit.

Enzo vlerësoi përpjekjet e kryeministrit Rama për ndryshimet që ka bërë në Tiranë si kryebashkiak, si dhe përpjekjet që po bën aktualisht si kryeministër me projektet e Rilindjes Urbane.

“Unë sjell këndvështrimin e dikujt që e sheh Shqipërinë nga jashtë. Që për herë të parë e kam parë në vitin 1993, kur ishte një Shqipëri tjetër. Një Shqipëri që dilte nga një kohë e vështirë. Ndërsa sot është kthyer në një destinacion për turistët”, tha zëvendëspresidenti i Federatës Italiane të Raftingut.

Sipas Enzos, forca e Shqipërisë, përveç vlerave kulturore dhe natyrore që ka qëndron edhe tek të mirat jo materiale, ato që as preken dhe as blihen.

“Njerëzit në Europë, italianët, gjermanët, anglezët, francezët, kanë bërë gjëra të bukura, por shumë herë, kanë humbur shpirtin e tyre. Është e vërtetë që duhet të ndërtohen infrastrukturat, sepse janë të rëndësishme. Por, duhet bërë kujdes gjatë ndërtimit të infrastrukturave, për të mos humbur, atë që është pasuria e Shqipërisë”, tha ai.

Enzo shtoi se “mikpritja, strukturat e shumta të shpërndara në territor, këto janë karakteristikat e Shqipërisë që kërkojnë europianët. Sepse në shtëpinë e tyre, shpesh herë kanë prishur çdo gjë. Ndërsa efekti i Shqipërisë është efekti surprizë”.

Ai ka ardhur në Berat bashkë me shtatë persona të tjerë të Federatës Italiane të Raftingut për të ndihmuar dhe promovuar në zhvillimin e këtij sporti dhe të turizmit në vendin tonë duke vlerësuar ndryshimin që po pëson Shqipëria.

“Lumenjtë janë diçka e rëndësishme. Një ditë më parë ishte Dita Botërore e Lumenjve. Uji është një pasuri për të gjithëve dhe të shkosh në lumë për të bërë rafting, po kthehem tek sporti im, pra të dërgosh shumë persona në lumenj do të thotë që t’u tregosh shumë njerëzve një këndvështrim të ndryshëm. Dhe kush e ndjen se territori është i bukur, i pëlqen dhe e ndjen se është pjesë përbërëse e tij”, u shpreh profesori i raftingut.

“Ministrat, kryeministri, kryebashkiakët mund të bëjnë shumë, por nëse qytetarët nuk bëjnë gjë, nuk funksionon asgjë. Qytetarët duhet të jenë pronarë të territorit. Kemi punuar një projekt të vogël, që është një zonë për kanotazh dhe rafting, që mund të përdoren nga shkollat. Kemi nevojë për të rinj që njohin gjuhët e huaja”, vazhdoi ai duke shpjeguar punën që kanë bërë në Shqipëri.

“Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë se turizmi sjell para kudo. Turizmi nuk është një fabrikë që shet automjete. Në fakt, turistët janë kureshtarë, janë edhe të rrezikshëm, sepse janë si karkalecat, vijnë dhe fusin hundët kudo. Por, kudo lënë diçka”, theksoi Enzo.

“I kam provuar të gjitha verat, si Çobon edhe Nurellarin, nuk po e them se cila më pëlqen më shumë sepse nuk mund ta them, por janë të shkëlqyera. Kur dua të bëjë një surprizë në shtëpinë time në Itali, hap një shishe verë shqiptare, sepse njerëzit janë të habitur dhe efekti surprizë është ai që i pëlqen më shumë turistëve, sepse janë gjithnjë në kërkim të diçkaje të re dhe televizioni tashmë na ka bërë të shohim gjithë botën. Nga Amazona, tek Poli i Veriut, ndërsa Shqipërinë pak më pak”, e mbylli fjalën e tij zëvendëspresidenti i Federatës Italiane të Raftingut. /G.S/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re