Profesori nga Universiteti i Prishtinës, Muhamet Hamiti, ka shpjeguar se çfarë është kakistokracia dhe çfarë qëndron në thelb të këtij sistemi.

Kujtojmë se ish kryeministri Sali Berisha, e ka përdorur shpesh këtë term, për të përkufizuar regjimin e instaluar në Shqipëri.

Lexoni shpjegimin e profesorit dhe kështu do të kuptoni më mirë edhe statuset e shumta të Berishës për këtë çështje.

Nga Muhamet Hamiti

Kakistokracia është sistem i qeverisjes prej njerëzve më të këqinj, më pak të kualifikuar, apo më të paskrupullt. Përkufizimi më i shkurtër: qeverisje prej qytetarëve më të këqinj.

Termin e ka farkuar një anglez, Paul Gosnold, në vitin 1644, gjatë luftës civile angleze, prej fjalëve greke ‘kakistos’ (më i keqi, prej ‘kakos’ – i keq) dhe ‘kratos’ (sundim/pushtet).

Fjala është përdorur rrallë në shekujt XIX dhe XX në Britani e SHBA, ndërsa është ringjallur këto vitet e fundit të shekullit tonë në botën anglo-amerikane.
Ndonjë kundërshtar i Presidentit Trump e ka quajtur qeverisjen e tij kakistokraci, duke e akuzuar se ka zgjedhur njerëz të këqinj në administratë.

Gazeta “The Washington Post” niste kështu një shkrim të vetin më 13 prill 2018: “Sot ka qenë ditë e frytshme për fjalorin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mësimet nisën në mëngjes, kur ish-drejtori i CIA-s John O. Brennan i cicëroi (në twitter) Presidentit Trump: “Kakistokracia jote po shembet”.

Kakistokracinë e pandehur të Trumpit e kishte denoncuar fituesi i Çmimit Nobel për Ekonomi, Paul Krugman, në një shkrim të vetin në “New York Times” në janar të vitit 2017, madje para se Presidenti i zgjedhur të merrte detyrën.

Se çfarë sistemi qeverisjeje mbretëron në SHBA është punë për qytetarët dhe komentatorët e këtij vendi.

Pyetjet që mund t’i shtrojmë ne këtu janë: a mund të kualifikohen sistemet e qeverisjes në Kosovë e në Shqipëri si kakistokraci? A do ta njohim edhe kakistokracinë kombëtare në vendet tona, tash që sistemi i më të këqinjve dhe më të paskrupulltëve në pushtet ka emër?

Autokracinë e kleptokracinë i kemi njohur e po i njohim mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re