Adem Demaçi, ka lindur në vitin 1936 në Prishtinë, ai u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë.

 

Demaçi u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg, ndërsa për herë të dytë u burgos për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 1974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990. Për këtë ai shpesh cilësohej si Nelson Mandela i Kosovës.

 

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë. Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.

 

Demaçi në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Sakharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Ndërkohë pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.

 

Gjithashtu për një periudhe kohë ka qenë drejtues në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav.

 

I njohur për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë ai vlerësonte hapur zhvillimet politike në paraqitjet e tij. Në një nga intervistat e tij për Zërin e Amerikës, ai ishte kritik i hapur ndaj zhvillimeve siç ishte Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë, qasja e institucioneve të Kosovës, apo bisedimet me Serbinë.

 

Zoti Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re