Në verën e vitit 2005 opinioni futbolldashes në qytetin e Elbasanit e priti me jo pak skeptizicëm emerimin ne krye te stolit të Ilir Dajës, pas largimit të të ndjerit Artan Bushati i cili e kishte shpallur nënkampion të vendit ekipin verdheblu në sezonin 2004-2005. Një skeptizicëm që buronte nga arsyetimi se kishim të bënim me një trajner pa eksperience në nivelet superiore te futbollit shqiptar.

E vërteta ishte që Daja po menaxhonte për herë të parë një ekip në kategorine kryesore të futbollit shqiptar, dhe për më tepër mes presionit për ta shpallur kampion. Ishte në fakt hera e parë dhe e fundit që një ambient sportiv i një klubi shihte me skepticizem një trajner si Ilir Daja.

Prej atëherë kur edhe fitoi titullin e parë në karrierë me Elbasanin e deri më sot, Ilir Daja ka fituar trofe, ka arritur rezultate të ëndërruara sportive, është zhgënjyer mes të tjerash nga pritshmërite që kishte, por kurrë askush nuk e ka parë me skepticizem emerimin e tij në stol. As kur mori Dinamon me të cilën në 2008 fitoi kampionatin e dytë në karrierë, as kur e fitoi këtë trofe edhe me  Skënderbeun në 2018, apo së fundmi dy herë radhazi me Ballkanin në Kosovë.

Nuk e panë kurrsesi me skepticizëm as kur i besuan dy herë stolin në Kavajë, apo kur Sinani Idrizi në Vlorë e kërkoi me ngulm, apo edhe kur e thërriten dy klubet emblemë të futbollit shqiptar Tirana e Partizani. Përtej uljeve dhe ngritjeve që janë krejt normale në sport, shton Vizion Plus,  56-vjecari Ilir Daja do të mbahet mend si trajneri i parë shqiptar që ia doli të drejtoje dy ekipe shqiptare në Shqiperi dhe Kosovë drejt fazës së grupeve të kompeticioneve europiane.

Fillimisht me Skënderbeun e Korçës në Europa League dhe pastaj me Ballkanin e Suharekës, deri më tani dy herë radhazi në dy vitet e fundit. Shumëkush mund të ketë fituar më tepër tituj si trajner në karrierë, por askush nuk ka mundur të shohë veten në tre edicione të kupave të Europës me dy ekipe te ndryshme shqiptare. Rekord vështirësisht i thyeshëm. Ata që e njohin nga afër si futbollist dikur e pastaj si trajner në 3 dekadat e fundit, e dinë shumë mirë se forca e Ilir Dajës është pikërisht modestia dhe qetësia e tij jashtë tipologjisë shqiptare dhe natyrës prej ballkanasi.

Të tjerët që janë familjaret dhe miqtë e tij më të mirë e kane te qartë se përveçse një strateg në stol, Ilir Daja është një trajner që menaxhon në mënyrë perfekte marrëdheniet me lojtarët dhe atmosferën në dhomat e zhveshjes. Nuk është rastësi që psikologjia është fusha që mbush më tepër bibliotekën e tij.

Të gjithë këto elemente formojnë pazëllin e një njeriu fjalëpak e punëshumë, që ka ditur ta ndërtojë dhe forcojë imazhin e tij në mjedisin futbollistik të hapësirës shqiptare, hap pas hapi, pa zhurme e me vendosmëri. Sot, shkruan Vizion Plus, ai është trajneri më i lakmuar në këtë hapësirë. Ballkani i Suharekës është një superfuqi e futbollit kosovar dhe arkitekti i zonës teknike që mban meritën në këto suksese është Ilir Daja, tekniku i arritjeve të mëdha, i cili përmes këtyre suksesee po thyen edhe barrierat mentale në sportin shqiptarë, se shkolla jonë e trajnereve nuk mund të jetë konkuruese jashtë kufijve. Ilir Daja është shembulli i kundërt, për të asgjë nuk është e pamundur…/ Ervin Sina, Studio Sport (Vizion Plus).

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re