Skip to content

PROFIL/ Kjo është Ursula von der Leyen, Presidentja e re e Komisionit Evropian, nëna e shtatë fëmijëve dhe fansja e integrimit

GettyImages 1131647095

Emri i Ursula von der Leyen nuk është se ka qarkulluar edhe aq në mediat ndërkombëtare. Por nga tani po. Ajo është zgjedhur të zëvendësojë Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke bërë historinë si gruaja e parë në këtë pozitë.

Deri tani, Von der Leyen ka ushtruar postin e ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, çka lë të kuptohet se ajo është e njohur mirë me përgjegjësinë e vendimit dhe kompetencat.

E lindur në Bruksel në vitin 1958, ajo u zhvendos në Gjermani kur ishte 13 vjeçe. Ajo studioi për ekonomi në universitetin LSE në Londër, dhe më pas vazhdoi pasionin e saj për studime në mjekësi në Hanover. Por jeta e drejtoi kah rrymat e politikës.

Von der Leyen ka kohë që është aleatja më e ngushtë e Kancelares Angela Merkel, duke qëndruar pranë partisë së saj, CDU,  që nga viti 2005.

Zonja Von der Leyen është nënë e shtatë fëmijëve, një tipar ky mjaft i pazakontë për vendin ku ajo u rrit, ku mesatarja e lindjes është 1 fëmijë për një grua.

Për fatin e mirë të vendeve ballkanike, ajo është fanse e përbetuar e integrimit në BE, dhe sa herë që ka pasur mundësi ka theksuar bindjet e saj se Evropa ka potencial më të madh të unifikimit dhe promovimit të paqes.

Tani, bindjet e saj pro-zgjerimit pritet të përplasen me një përbërje jo dhe aq pakicë në Parlamentin Evropian.

Zgjedhja e saj si ministre e mbrojtjes e Gjermanisë ishte e papritur, ashtu si zgjedhja e saj dje si “koka e BE-së”.

U deshën më shumë se tre muaj bisedime ndërmjet CDU-së së Merkelit dhe Social Demokratëve, derisa ajo u rehatua në pozitën e ministres së Mbrojtjes.

Po nga ai moment, ajo fitoi shpejt popullaritet te publiku gjerman, i cili zakonisht nuk shfaq afinitet të zjarrtë politik.

Ajo dha fjalën e saj për rritjen e pranisë ushtarake të Gjermanisë në NATO, gjë që u duartrokit jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit.

Megjithatë, jo gjithçka shkoi vaj për ministren e atëhershme.

Në vitet e fundit, ka pasur mjaft raporte të mediave që kanë shkruar për “papërshtatshmëri” në forcat e armatosura të Gjermanisë, duke filluar nga nëndetëset dhe avionët e paoperueshëm, e deri te mungesa e personelit.

Ndërsa emërimi i saj atëherë shihej si një “fillim i ri” për një ministri të ngulfatur nga problemet, zonja Von der Leyen ishte marrë në pyetje vitin e kaluar si pjesë e një hetimi mbi parregullsitë dhe shpenzimet.

Departamenti i saj i Mbrojtjes u akuzua për dhënien e kontratave private të dyshimta për konsulentët që thuhet se kanë vlerë miliona euro.

Ajo më vonë pranoi se u bënë një sërë gabimesh në ndarjen e kontratave dhe po zbatonte masa të reja për të parandaluar një përsëritje të ngjashme.

Në shikim të parë, ministrja e ëmbël 60-vjeçare me një buzëqeshje të përshtatshme për kamerat, duket të jetë një zgjedhje e përsosur, me përvojë të duhur, bagazh politik dhe personalitet të fortë për të udhëhequr qëndrimet e larmishme dhe kokëforta të BE-së.

Por kjo është përshtypja e parë. Ajo mban mbi supe barrën e integrimit, refugjatëve dhe krisjeve mes familjes evropiane. Mbetet të shihet nëse zonja multi-tasking, nëna e shtatë fëmijëve dhe me më shumë se një profesion, do të mund ta bëjë më të mirën në këtë situatë jo dhe aq të mirë.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha –