Josep Borrell Fontelles, ish-ministri i Jashtëm spanjoll, nga tani do të ketë detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian.

Por kush është 72-vjeçari ka një karrierë të gjatë politike, jo vetëm në Spanjë por edhe brenda vet Parlamentit Evropian?

Zgjedhja e tij në këtë pozitë po konsiderohet si “jetë e re politike”, duke qenë se në të kaluarën ka një bagazh mjaft të pasur. I lindur në Katalonjë, Frontelles po i jep Spanjës një pozitë të rëndësishme brenda BE-së, meqenëse ka kohë që e ka kërkuar një gjë të tillë.

Përvoja e tij në BE përfshin edhe atë si President i Parlamentit Evropian në vitin 2004, një pozitë që e mbajti për dy vite e gjysmë. Me profesion ekonomist, Frontelles ka shërbyer si politikan nacional për disa dekada.

Ai është anëtar i një prej partive më të suksesshme në vend, PSOE, e cila ka marrë më së shumti mandate qeverisjeje. Ai nisi karrierën si anëtar i Këshillit Bashkiak në qytezën Majadahonda të Madridit, në fund të viteve 70’ta.

Pa pasur nevojë për trampolinë, ai bëri një hap të madh si politikan mbarëkombëtar. Pasi hyri në qeverinë e Felipe Gonzalez, ai ushtroi pozitën e ministrit të Punëve Publike dhe Ambientit. Ndonëse i lindur në tokë katalanase, Frontelles u bë kundërshtar i flaktë i pavarësisë së Katalonisë.

Kryeministri aktual spanjoll Pedro Sanchez i dha edhe më shumë dritë karrierës së tij prej politikani, duke ia besuar pozitën e Ministrit të Jashtëm.

Ardhja e tij në pozitën që deri tani e kishte Frederica Mogherini, po pritet me frikë dhe skepticizëm ne Ballkan. Qasja e Mogherinit “ngrihe mos e këput” me vendet e Ballkanit edhe pse nuk solli integrim, megjithatë nuk ka shkaktuar keqësim situate.

Italianja 43-vjeçare e cila ka udhëhequr politikën e jashtme të BE-së që nga 2014 dhe ka drejtuar negociatat e pajtimit mes Serbisë dhe Kosovës, po e lë këtë pozitë me një zhvillim të ngrirë të këtij procesi delikat.

Frika e politikës kosovare është herët të shfaqet, megjithëse ajo duhet të jetë e dukshme. Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe ka qenë një nga kundërshtarët e zëshëm të saj, jo për shkak të raporteve me Serbinë por për shkak të “guximit” që mund të marrë Katalonia, rajoni nën administrimin e Spanjës i cili aspiron pavarësinë.

Dhe ta mendosh që Josep Borrell Fontelles vjen pikërisht nga Katalonja.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re