Skip to content

PROFIL- Nga Bashkia e Beratit në krye të Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Vendor, Ervin Demo merr besimin e Ramës për superministrinë

ervin demo

Ervin Demo ka marrë nga sot drejtimin e Ministrisë së Brendshme, pas shkarkimit nga kjo detyrë e Besfort Lamallarit. Ervin Demo është një figurë me karrierë të gjatë politike, teksa së fundmi ka drejtuar edhe Ministrinë e Pushtetit Vendor.

Ai ka lindur në Berat, më 28 maj 1982, ndërsa ka kryer studimet e larta për Administrim Biznesi në Universitetin e “Westminster” në Londër. Pas përfundimit me sukses të studimeve në nivelin master për Manaxhim dhe Marketing në Universitetin e “Kingston” ai vazhdoi studimet e tij në Universitetin e Tiranës, duke marrë titullin profesor i asociuar. Që prej 2004, Demo ka punuar si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, e gjithashtu është bashkë autor i disa librave të publikuar në Shqipëri. Studimet e tij pasohen nga një karrierë e shkëlqyer akademike në kërkime dhe nisma kërkimore në fushën ekonomike. Po ashtu, në periudhën 2012–2016 ai ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës

Që nga Tetori i vitit 2017 deri në Tetor të 2018 ka qenë në pozicionin e zëvendësministrit, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në zgjedhjet e vitit 2019, ai u zgjodh në krye të bashkisë së Berat, të cilën e drejtori deri në vitin 2024. Më pas në vitin 2025, ai fitoi mandatin e deputetit dhe u vendos në krye të Ministrisë së Pushtetit Vendor.

Tashmë, nga një ministri pa portofol, ai është vendosur në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit. Por vetë kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Demo do vijojë të mbajë edhe postin e ministrit të Pushtetit Vendor, pasi dy dikasteret do të bashkohen.

Në një intervistë të dhënë  në vitin 2014, Demo shprehej se në ato kushte nuk do i futej politikës. Por duket se që atëherë, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe ndoshta tani politika është pikërisht mënyra e duhur për të që t’i kthejë idetë në realitet.

“Nëse do jetë politika si ka qenë këto 10 vitet që unë jam kthyer e jetoj në Shqipëri, nuk besoj. Por nuk e fsheh që politika më duket mjeti më i mirë për të realizuar idetë. Në një kohë më të përshtatshme patjetër që do futesha, por nga ato që shoh deri tani mund të them që do ishte dhe një konsum, përdorim i kotë i shpirtit”-, është shprehur Demo 12 vite më parë.