Pas përzgjedhjes nga Kryeministri Rama të Ervin Demos në postin e ministrit të Pushtetit Lokal, Partia Socialiste në Berat ka propozuar dhe po mbështet Ervin Cecën, një intelektual të ri, i ardhur nga Universiteti i Padovës dhe prej një kohe të gjatë i angazhuar në sistemin bankar në qytet.

Ceca, aktualisht është kryetar i komanduar i Bashkisë Berat. Më herët ai ka mbajtur pozicionin e kryetarit të Këshillit të Bashkisë Berat, ku është shquar për tolerancë dhe bashkëpunim me të gjitha forcat politike që përfaqësohen në këtë këshill.

Ai ka një karrierë të gjatë në sektorin bankar, ku ka shërbyer me profesionalizëm dhe korrektësi.

I diplomuar në Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës në Itali, Ceca duket se është një garanci e shtuar e vazhdimësisë së zhvillimit të qytetit, sidomos në sektorin e turizmit dhe promovimin ndërkombëtar.

Sigurisht që për çdo kënd është pushteti dhe drejtimi i institucionit ai që do t’i tregojë vlerat dhe aftësitë, por Ceca duket se mishëron të gjitha vetitë e një qytetari korrekt dhe të angazhuar në dobi të komunitetit.

Sfida e tij kryesore është vijimi i një rruge të lënë në mes dhe në aftësinë e tij për të qenë një drejtues që më shumë se sa partinë që e ka kandiduar, do qytetin e Beratit, i cili meriton një drejtim që vijon zhvillimin e arritur deri më sot./nl

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re