Jane hartuar profilet e drejtuesve të qarqeve të Partisë Demokratike në fushatën e 25 prillit, të përzgjedhur nga Basha si ‘guvernatorët’ e tij politikë në terren. Megjithëse duken tendencioze, tendenca nuk ka qenë qëllimi i tyre, por profilizimi në një prej tri qasjeve të përshkrimit të një figure politike, apo personazhi publik: Si i shohin të tjerët apo çfarë thonë të tjerët për ta. Dy të tjerat janë: çfarë mendojnë ata për veten dhe çfarë mendojnë se mendojnë të tjerët për ta.

Ndoshta, në të ardhmen, mund të provojmë edhe dy qasjet e tjera.:-)

Durrës: Edi Paloka

Si nënkryetar partie do t’i takonte kryet e vendit diku, por ndoshta Durrësi është shumë duke kujtuar episodin e freskët dhe të trishtë të katër viteve më pare, ku PD u reduktua në katër mandate, pa sy për Qabe. Po të duash, mund të shtosh me cinizëm se, edhe PD-së i duhet një Edi në Durrës.

Transmeton memorien e PD-së te militantët dhe, sigurisht, edhe një energji politike të nevojshme për gara ‘kokë më kokë’, si kjo e 25 prillit. Verbi i vjetër, megjithatë, dhe mungesa e ndonjë suksesi elektoral, në një qark delikat si Durrësi, ku grija është partia më e madhe, e bëjnë sfidën e tij edhe më të vështirë.

Lezhë: Mark Marku

Ka autoritet si folës i spektrit të djathtë; është kujdesur gjithmonë të ruajë tendencën dhe lirinë e tij. Shpesh kritik me Bashën u bë pjesë e një Komisioni të zhbërë tashmë, fijen e parë të rënies së të cilit e tërhoqi ai vetë.

Nuk shquhet për aftësi elektorale, kjo për shkak të natyrës së tij kryesisht mizantrope, që është e lidhur më shumë me personazhet e librave dhe idetë se me njerëzit e jetës reale. Emri, përgjithësisht pozitiv, nuk dihet sa do të ndihmojë në një terren elektoral i cili, në qarkun e Lezhës sidomos, ka më shumë se një ngjyrë dhe një prirje dhe është mjaft i ashpër. Markut i duhet të kënaqë mirditorët e vet, malësorët e Gjekmarkajt, qytetarët e Remziut, dhe të përçojë frymën e Berishës te demokratët e Mamurrasit, Laçit dhe Milotit. Mision i vështirë, të paktën në letër.

Shkodër: Helidon Bushati

Çdo gjë që mund të themi për të përmban marzh të lartë gabimi. Është i panjohur, aq sa gjithkush mund të thotë ç’të dojë dhe çdokush mund ta besojë atë që i është thënë për të. Vjen nga një familje me traditë në Shkodër. Në mungesë të Ditmirit, Bushatllinjtë janë të lire, pavarësisht krahut, të kenë mbiemin e tyre në parlament. Ngjarja më e fortë e tij është tërheqja e kërkuar nga Basha katër vjet më pare, për t’i hapur rrugë një rirreshtimi në listën e vështirë të Shkodrës. Do t’i duhet të menaxhojë me kujdes depon e madhe të votave që ka PD në këtë qark, por komplet të pasistemuar dhe të vështirë për ta rreshtuar.

Kukës: Flamur Hoxha

Një tjetër flamur për qarkun e Kukësit. Shpresat janë që, ndryshe nga Noka, që la pas përçarje dhe zgjedhje të gabuara, Flamuri i ri, me urtësinë e një hoxhe, të pajtojë dhe të bashkojë kuksianët, në armiqësi të qartë me qeverinë. Një profil i heshtur, fjalëpak, por punëshumë. Një biznesmen, krejt e kundërta e rivalit të vet Gjici. Ky e ka ndërtuar ‘perandorinë’ e tij me punën i pandihmuar nga asnjë lloj qeverie. Vjen nga shtresa e të persekutuarve.

Dibër: Xhelal Mziu

Përtej çdo kritike, duket se fati i karrierës së Mziut ndriti prej zotësive të tij elektorale. Edhe njerëzit që nuk e duan në PD ia pranojnë forcën dhe zotësinë. Mund të konsidrohet një zgjidhje e mire e Bashës, ndër të paktat ndoshta, sidomos në një qark si Dibra, problematic dhe me rrëshqitje të forta elektorale, dhe me hijen e veprimtarive dhe veprimtarëve të ‘dosjes 339’ mbi krye. Vetvetja mund të jetë pengesa e tij më e madhe, që do të thotë zotësitë në një zonë elektorale sfidohen në momentin kur veprimtaria e tij shtrihet në territore që nuk janë habitat i tij, si Mati dhe Bulqiza. Aq më shumë bëhet kjo problem kur të vijë në emër të tyre në aulën e madhe të politikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Elbasan: Gaz Bardhi

Figurë në rritje, nga e cila deri tani ka rënë më shumë në sy brishtësia dhe nervozizimi. Por, njerëzit e PD e gjykojnë shumë arrogant. Sjellje kjo tipike e një burokrati servil me shefin dhe i ashpër me vartësin. Nuk ka asnjë përvojë elektorale dhe partiake, por pasi e caktoi Sekretar të Përgjithshëm, Bashës i duhet t’i gjejë një shtrat të gjerë elektoral si ai i Elbasanit.

Në qoftë se pjesa e listës pas tij nuk do të zgjidhet me kujdes, shanset e tij për sukses do kompromentohen keqazi.

Berat: Tomor Alizoti

Mbas përplasjes me Bashën në 2017 ai ka kërkuar me këmbëngulje marrjen e përgjegjësive. Duket se Basha ia ka dhënë këtë mundësi, edhe pse nga shumëkush është parë si surprizë emërimi në një qark me të cilin nuk ka lidhje të drejtpërdrejta. Karriera e Alizotit do të përcaktohet shumë nga rezultati. Sot ai ndodhet në kudhrën e PS, nën çekiçin e LSI dhe nën vëzhgimin hileqar të Bashës.

Korçë: Edmond Spaho

I buti dhe i urti Mond Spaho është kthyer pas 8 vjetësh në Korçë, një qark ku ka pasur suksesin e fundit elektoral. Që atëherë ka dështuar kur ka drejtuar në Durrës dhe Elbasan. Rikthimi është një shans për të dhe për PD, edhe kur shihet se e ndjek hija dredharake e Salianjit si shef kabineti (kujtojmë të njëjtin pozicion të këtij të fundit në Durrës në shtabin e Gridës, dhe katastrofën pasuese).

Nuk duhet harruar një tjetër ‘element i provincës’ që shkon kundër Spahos: Korça është pak paragjykuese ndaj devollinjve, dhe do të donte një korçar në krye të punëve të veta. Një balancë që duhet ruajtur dhe në kompozitën ortodokse-myslimane të qytetit, të cilën, me sa shihet, Basha nuk e ka marrë parasysh në Korçë dhe as në Shqipëri, duke qenë se ndër ‘kapitenët’ e tij asnjëri nuk i përket ortodoksisë.

Gjithsesi durimi, vullneti dhe përvoja e Spahos janë armët të cilat do të përdorë në betejën përballë një brezi korçarësh në kulmin e karrierës së tyre, dikur të djathtë sot drejtues socialistë.

Fier: Enkelejd Alibeaj

Dashuria e tij fatale për Fierin, nuk stepet nga asnjë përplasje në dështim. Kujtojmë se ishte edhe kandidat për bashkinë, një missison impossible perfekt. Me pamjen e një imami, kur flet dhe jep intervista e tendos frazën sikur të ishte duke shpallur një fatva ndëshkuese për një kundërshtar imagjinar. Qartazi është pamja më e papërshtashme për elektoratin e Fierit. Më shumë e tillë për shkak të përpjekjes së tij për t’u shitur si përfaqësues i ekstremit të djathtë, në qarkun e ekstremit të majtë, që krenohet me koopertivën e parë dhe ndarjen e parë të tokave në kuadër të reformës agrare në Shqipëri në vitin 1946.

Vlorë: Bujar Leskaj

Rikthehet në politikë me tiparin më të përfolur të krahinës së vet rrahëgjokësin. Në Vlorë e kanë çuar si trim që ‘ua del’ të fortëve të zonës, ndërkohë që në tubime elektorale shfaqet me banakun plot me libra dhe me dëshirën e fortë që ta thërrasin ‘Doktor Profesor’. Kjo ia ka vështirësuar pak mesazhin, dhe kjo nuk është kundërthënia e vetme e Bashës në zgjedhje, duke ditur se edhe një persoanzh me të njëjtin pretendim elektorl ligjëron fushave plot lagështirë të Rrogozhinës. I shkëputur totalisht nga partia, që ka bërë 8 vjet opozitë, dhe i njohur për vëmendjen e madhe ndaj bizneseve të vëllait të kryeministrit dhe partnerit të tij Gaz Demi, sfida më e madhe e tij është gjetja e ritmit me bazën demokrate.

Do të jetë e vështirë t’u shpjegohet faktorëve lokalë, ish-zyrtarë të PD, të cilët kanë vuajtur persekutimin e Leskajt kryetar KLSH-je sipas porosive të titullarëve socialistë.

Gjirokastër: Tritan Shehu

Më i vjetër edhe se PD në politikë, aq sa një cinik në parti thotë se ai të kujton Shën Palin që në fillim i vriste të krishterët dhe më pas u bë i krishterë i devotshëm dhe shërbëtor i tyre. Nuk ka asnjë arsye se pse duhet të jetë ende në Gjirokastër. Njohësit e terrenit thonë se efektin elektoral nuk e ka pozitiv, gjë që të çudit për zgjidhjen këmbëngulëse të Bashës. Caktimi i tij në Gjirokastër është një dorëzim i parakohshëm i Bashës dhe pranimi i faktit se PD nuk mund ë prodhojë më shumë se një deputet në atë qark. Në këto kushte ky vend shihet si një qokë që shërben për të shlyer borxhin e vjetër të Berishës ndaj klanit të PDr, pas shkrirjes së kësaj të fundit./politiko.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re