Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se me ardhjen në pushtet pas 25 prillit, qeveria e tij do të shfuqizojë ligjin për pronat që sipas tij është antikushtetues.

Lideri demokrat teksa prezantoi sot programin për pronat tha se do të rikthehet drejtësia e munguar pa të cilën as ekonomia, as shoqëria nuk mund të shkojnë përpara në harmoni.

Sipas Bashës, zhfyqizimi i ligjit do të bëhet brenda 3-mujorit të parë të qeverisjes së PD-së.

“Ju falënderoj edhe njëherë për pjesëmarrjen në këtë takim i cili finalizon një punë afro 2-vjeçare të ekspertëve tanë dhe një bashkëpunim i ngushtë dhe të sinqertë me përfaqësuesit e pronarëve të ligjshëm. Dua t’ju garantoj për angazhimin tim politik dhe personal për procesin e kthimit dhe kompensimit si dhe për transparencën dhe për dhënien fund të çdo sorollatje të dikurshme duke nisur me zhbërjen deri në themel të këtyre padrejtësive të këtyre 8-viteve që kanë çuar de fakto në një shpronësim të dytë pronarët.

Ky angazhim i yni i parë do të bëhet realitet brenda 3 –mujorit të parë të qeverisjes. Abrogimi i ligjit aktual dhe i akteve nënligjore, shfuqizimi tërësor i ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe hyrja në forcë i një ligji produkt i konsultimit dhe i parimeve të mishëruara në programin tonë politik do të jenë frutat apo produktet e para me anë të cilave ne do të rikthejmë drejtësinë e munguar pa të cilën as ekonomia, as shoqëria nuk mund të shkojnë përpara në harmoni.

Familja, prona, liria janë themeli i një kombi, i një shoqërie dhe i një ekonomie të shëndetshme. Ndaj, edhe njëherë dua t’ju garantoj se ne do ta bëjmë këtë edhe si pjesë të misionit tonë më fondamental që është garantimi i demokracisë. Nuk mund të ketë demokraci pa garantuar këto tre themele të shoqërisë, familjen, pronën dhe lirinë. E vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen demokratike dhe garantimin e këtyre parimeve është t’ju ftoj që më 25 prill të gjithë pronarët, të gjithë familjet e pronarëve shqiptar të bëhen pjesë e projektit të madh të ndryshimit duke votuar për partin demokratike, duke konsideruar fitoren e 25 prillit fitoren e pronarëve, fitoren e një kauze të gjatë, të mundimshme por plotësisht të drejt të një pjese kaq të madhe të shoqërisë e cila është nëpërkëmbur kaq gjatë për hir të interesave të një grushti njerëzish.

Dhe e përsëris jo thjesht dhe vetëm për arsye ideologjikë por mbi të gjitha për arsye korruptive për të rikrijuar një klasë pronarësh të paligjshëm, monopolist, oligarkë, grabitqar të pronave të pronarëve të ligjshëm. Për këtë ju jap garancinë se ne do të punojmë fort që të ecim përpara duke zgjidhur problemin duke e konsideruar zgjidhjen e problemit të pronave si një nga hapat kryesorë për fuqizimin e ekonomisë dhe në këtë mënyrë duke hedhur themele të shëndosha dhe të pa lëvizshme për të gjitha aspektet e tjera të rëndësishme që nga demokracia, liria e fjalës, e drejta e individit dhe besimi ynë si një vend dhe një shoqëri europiane.

Nuk do të jemi kurrë një vend dhe një shoqëri europiane pa qenë një vend dhe një shoqëri normale dhe normaliteti fillon me respektimin e tre komponentëve bazë të një kombi dhe një ekonomie të shëndetshme, familja, prona dhe liria. Ju falënderoj edhe njëherë për angazhimin tuaj dhe ju siguroj që këtë kapitull të errët të këtij tetë vjeçar ku jo vetëm nuk u hodh asnjë hap përpara por u rikthye dhe njëherë trauma e shpronësimit të par të diktaturës do ta mbyllim dhe ju kërkoj të bashkohemi për të sjell ndryshimin që e dimë fare mirë se mezi po e pret shumica dërrmuese e shqiptarëve duke ju garantuar se do të keni jo thjeshtë sytë tuaj por do të keni pranin tuaj dhe instrumentet tuaj në jetësimin, pra në bërjen realitet ta angazhimeve që sot bashkërisht shpallim para pronarëve dhe para gjithë qytetarëve shqiptar.”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re