Skip to content

Programi për arsimin, Basha përgjigje me Xhaferrajn: I dështuari Rama trumbeton me të madhe tallje, veç me ne përmirësohet cilësia e rrogave

Kryetari i PD Lulzim Basha ka zgjedhur t’i përgjigjet kundërshtarit të tij politik Edi Rama përmes kandidatit për deputet Ferdinand Xhaferraj.

Ai ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ndaj programit të shpalosur sot nga kryeministri Edi Rama për Arsimin. Ai e cilëson këtë si një tallje publike, duke theksuar se në dy mandate qeveria e drejtuar nga Rama nuk u ka rritur asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. “Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale”, shkruan Xhaferraj.

Postimi i plotë:

“Si politikan dhe si i angazhuar prej vitesh drejtpërdrejtë në arsimin e lartë, jam i zhgënjyer nga tallja publike që Edi Rama bëri sot në shpalosjen e të ashtuquajturit program të Partisë Socialiste për Arsimin. Në tetë vite ai nuk u shtoi asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale.

Në mandatin 4 vjeçar të Lulzim Bashës si Kryeministër, rroga e mësuesve do të jetë minimumi 700 euro. Edukatorët e Kombit do të kenë mundësinë të bëjnë një jetë dinjitoze, njësoj si kolegët e tyre në shtetet përreth.

Edi Rama me tam-tame thotë se gjoja në universitete është vendosur meritokracia. Kryeministri më i keq që ka njohur historia pluraliste tenton të mashtrojë shqiptarët, sikur ata ta kenë harruar përfshirjen e drejtuesve të bandave më të rrezikshme në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. Bandat e komanduara nga Rama arritën deri aty sa të marrin peng profesorë dhe kandidatë për Rektor.

Sistemi i Maturës Shtetërore është një dështim i plotë dhe më mirë se të gjithë këtë e dinë maturantët dhe familjarët e tyre. Mjafton të kujtojmë personazhin e “TURIT”.

Me Edi Ramën arsimi shqiptar ka pësuar vetëm regres.

 Me Partinë Demokratike Shqipëria Fiton Arsimin!”