Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca, ditën e sotme në orën 09:15 do të mbajnë një konferencë për mediat.

Tema kryesore e konferencës do të jetë progres-raporti i publikuar ditën e djeshme nga Komisioni Europian sa i përket përparimit të Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo shihet dhe si një lloj përballje me faktet, pasi nuk do të ketë më opinione të caktuara nga Rama apo Soreca në lidhje me progresin e bërë.

Sot po ashtu do të zhvillohet edhe takimi i radhës i Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE).

Në këtë takim do të prezantohet “Raportit Vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë”.

Fjala përshëndetëse do të mbahet nga Kryetarja, Jorida Tabaku dhe Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla.

Më pas do të jetë Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka si dhe Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë me Bashkimin Europian, për të informuar anëtarët dhe të ftuarit e përherëshëm të KKIE mbi hapat për ndjekjen e rekomandimeve të këtij raporti.

Një ditë më parë

Sipas raportit, sistemi i drejtësisë është deri diku i përgatitur. “Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën tërësore në drejtësi, që ka çuar në përparim të mirë. Një moment i rëndësishëm ishte emërimi në fund të vitit 2020 i 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese” – theksohet në raport.

Gjithashtu shtohet se SPAK dhe Gjykata për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të zhvillojnë më shumë aftësitë e tyre hetimore në ndjekjen e korrupsionit, “i cili mbetet një shqetësim serioz, sepse mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e private”.

Edhe patronazhistët përmenden në progres-raportin e BE për Shqipërinë

“Sipas OSBE/ODIHR, mbetet shqetësim në lidhje me keqpërdorimin e burimeve dhe funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike, duke përfshirë akuzat e përhapura për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale mbi preferencat politike të qytetarëve” – thuhet në raportin e Progresit të Bashkimit Europian.

(B.V/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re