Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka folur lidhur me buxhetin e prezantuar ku para së gjithash ka vlerësuar arsimin dhe shëndetësinë, duke çmuar iniciativën për t’i konsideruar si dy ndër prioritetet kryesore.

Nga foltorja e Parlamentit, ish kreu i Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi veçoi gjithashtu edhe mbështetjen buxhetore për institucionet e sigurisë e drejtësisë.

“Një hap tjetër për t’u vlerësuar e përshëndetur pozitivisht nga të gjithë, është përkrahja buxhetore posacërisht për funksionimin e sistemit të drejtësisë për vitin 2022. Projektbuxheti u jep zgjidhje pjesës dërrmuese të kërkesave për mirëfunksionimin e sistemit dhe institucioneve të tyre. Është lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme e buxhetit të SPAK ku përfshihet Prokuroria e Posaçme dhe BKH. Le të shpresojmë se kjo do të ndihmojë që të shohim rezultate shumë më të mira se sa kemi parë deri më tani. Në këtë pikë, dua të theksoj se buxhetimi për institucionet e drejtësisë, por besoj edhe ato të sigurisë, nuk mund të jetë i ngjashëm me programimin rutinor të institucioneve në varësi të ekzekutivit”, tha Xhafaj në fjalën e tij duke vënë theksin te pavarësia ku sipas tij në këtë fushë nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër po aq të rëndësishme, përgjegjshmërin e vet institucioneve në buxhetimin e sistemit, në hartimin e kërkesave dhe administrimin e tij.

Problematika të tilla nuk janë vetëm çështje vizioni e këmbëngulje nga drejtuesit e këtyre institucioneve, por besoj se parasëgjithash duhet të ndryshoj politikbërja për konceptimin, diskutimin dhe miratimin e buxhetit për këto institucione në rivlerësimin e funksionimit të mekanizmit trepalësh qeveri – kuvend – institucione të sistemit të drejtësisë.

Në përmbyllje dua të jem shumë i drejtëpërdrejtë me drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë.  Njerëzit e këtij sistemi, prokurorët dhe gjyqtarët por edhe ekipet e këshillave drejtuese e inspektuese dhe stafet e tyre mbështetëse duhet të kuptojnë shumë më mirë se deri më sot përgjegjsinë e tyre ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, u shpreh Xhafaj.

Ndër të tjera, ligjvënësi apeloi që vendimmarrja e Kuvendit të jetë përcaktuese e gjithëpërfshirëse për shpalosjen e vizioneve qeverisëse dhe atyre opozitare për ardhmërinë e vendit dhe jo për sherrnajet e politikës së ditës.

Ndërkohë, ai nënvizoi se “Me ligj duhet ndaluar çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurimin publik qofshin këto PPP, Konçesione apo edhe të ashtuquajturat prokurime sekrete”.

Më poshtë po përcjellim fjalën e plotë:

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Të dashur bashkëqytetarë,

Ndjehem mirë tek shoh një buxhet të frytshëm me tregues të ardhurash në rritje të konsiderueshme.

Ndër treguesit e shumtë të këtij buxheti, do veçoja së pari arsimin dhe shëndetësinë, duke çmuar maksimalisht iniciativën për t’i konsideruar si dy ndër prioritetet kryesore. Janë dy fusha që prekin drejtpërdrejt të sotmen dhe të nesërmen, shëndetin dhe edukimin e brezave me bazat më të mira të dijes. Qytetarëve tanë duhet t’u ofrohet më e mira në këtë drejtim, e natyrisht ky buxhet është dëshmia me e mire e këtij prioriteti qeverisës.

Krahas këtyre lajmeve të mira, do vlerësoja gjithashtu edhe mbështetjen buxhetore për institucionet e sigurisë e drejtësisë,  me një rritje të ndjeshme të fondeve të orientuara në drejtësinë për të mitur, ndihmën juridike falas, zgjerimin e strukturave antikorrupsion, dixhitalimin dhe modernizimin e teknologjisë së shërbimeve të policisë së shtetit në përpjekjet për kontrollin më të mirë të territorit dhe forcimin e rendit publik.

Këto dhe shumë të tjera janë dëshmi e një buxheti të aftë që të shërbej për ti dhënë një shtytje pozitive zhvillimit ekonomik e social për 4 vitet e ardhshme.

Të nderuar kolegë,

Paraqitja, diskutimi dhe miratimi i një buxheti vjetor duhet të jetë ngjarja kryesore në jetën e një vendi normal ku zhvillimi i tij dhe interesat e qytetarëve janë qëllimi dhe motivi parësor i politikbërjes, i mazhorancës dhe opozitës, i të gjithë institucioneve të shtetit të përfshira në të.

Projektligji i buxhetit është kompetencë eskluzive e qeverisë, ndër më kryesoret në funksionet e saj, por vendimmarrja e Kuvendit duhet të jetë përcaktuese e gjithëpërfshirëse për shpalosjen e vizioneve qeverisëse dhe atyre opozitare për ardhmërinë e vendit dhe jo për sherrnajet e politikës së ditës, me përfshirjen aktive në seancat dëgjimore të grupeve të interesit, (një shembull të mirë të së cilës e prezantoj këtu ministrja e shtetit për rininë e fëmijet), ekspertëve të fushës, të shoqatave të bizneseve të interesuara për fusha të caktuara të buxhetit dhe vecanërisht për politikat fiskale.

Në finale të ardhurat e buxhetit janë parasëgjithash produkt i taksave të qytetarëve dhe kontribut i biznesit të këtij vendi ndaj dhe konsultimi e transparenca me ta është domodoshmëri.

Ky proces përgjithësisht vazhdon të konceptohet dhe realizohet në një rreth të mbyllur, me vendimmarrje të përqëndruar, shpesh pa një proces të gjerë konsultimi e transparence publike me grupet e interesit, me shoqatat e biznesit dhe pa një përfshirje aktive të njerëzve të mençur të ekonomisë e financave në vend.

Ndaj ne sot nuk e kemi kulturën e taksave, kontrolli mbi dhënien e faturave konsiderohet punë e shtetit dhe për rrjedhojë megjthëse kemi eksperimentuar pafund sisteme e kasa fiskale përsëri informaliteti është shqetësues ç’ka bën që ne të mbledhim sot të ardhura rreth rreth 28% të vlerës së Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, apo që është ende prezent perceptimi për masa klienteliste e favorizuese për biznese të caktuara në politika të veçanta fiskale.

Transparenca, debati i shëndetshëm e gjithëpërfshirës është rruga për t’i parandaluar dukuri të tilla.

Ndaj mendoj se për të gjitha këto arsye lipset një qasje e re në gjithë këtë proces dhe veçanërisht këtu në Kuvend, me ndryshimet në ligj dhe procedurat që mundësojnë hartimin, diskutimin, miratimin dhe monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit.

Padyshim fokusi e shqetësimi kryesor i qeverisë, por dhe i vet Kuvendit duhet të mbetet nevoja e masave shumë më të forta për administrimin e të ardhurave dhe veçanërisht të procesit të prokurimeve të fondeve buxhetore.

Me ligj duhet ndaluar çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurimin publik qofshin këto PPP, Konçesione apo edhe të ashtuquajturat prokurime sekrete. Kjo kërkon ndryshime të forta në procesin e prokurimeve, por sidomos për procesin e kontrollit të tyre nga strukturat audituese dhe vetë KLSH, por edhe në procesin e hetimit administrativ e penal ndaj tyre.

Ashtu sikundër me shumë të drejtë kërkohet ngritja dhe forcimi i kapaciteteve profesionale të strukturave që realizojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e PPP-ve, konçesioneve dhe prokurimeve publike në vlera të mëdha, duke riparë edhe statusin autonom të tyre nga Institucionet prokuruese për të mbikqyrur me dorë të fortë kriteret dhe projektet konkuruese, por edhe detyrimet përkatëse kontraktuale ligjore dhe financiare në interes të buxhetit të shtetit.

Çdo masë pozitive në këtë aspekt do të rriste ndjeshëm konkurencën në treg, do të zvogëlonte mundësitë korruptive, do të forconte instrumentat për të kursyer më shumë para në procesin e garave me fonde publike, do të forconte transparencën në prokurime dhe kryesorja besoj fort se do të siguronte edhe më shumë cilësi e përgjegjshmëri në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.

Një hap tjetër për t’u vlerësuar e përshëndetur pozitivisht nga të gjithë, është përkrahja buxhetore posacërisht për funksionimin e sistemit të drejtësisë për vitin 2022. Projektbuxheti u jep zgjidhje pjesës dërrmuese të kërkesave për mirëfunksionimin e sistemit dhe institucioneve të tyre. Është lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme e buxhetit të SPAK ku përfshihet Prokuroria e Posaçme dhe BKH. Le të shpresojmë se kjo do të ndihmojë që të shohim rezultate shumë më të mira se sa kemi parë deri më tani.

Në këtë pikë, dua të theksoj se buxhetimi për institucionet e drejtësisë, por besoj edhe ato të sigurisë, nuk mund të jetë i ngjashëm me programimin rutinor të institucioneve në varësi të ekzekutivit.

Kjo jo vetëm se është një pushtet i pavarur po se po, por edhe për shkak të specifikave që ka nëse duam jo veç të respektojmë pavarësinë e tij funksionale e financiare, por që edhe realisht ta mbështesim atë në prioritetet reale të tij si me fondet e buxhetit të shtetit ashtu edhe me donacionet dhe investimet e huaja.

E papranueshme që kur ka kaluar mbi dy vjet nga fillimi i punës së SPAK sot ende flitet për mungesë zyrash pune për prokurorët dhe hetuesit e BKH, ca më keq akoma për faktin se ende nuk qenkan zgjidhur mosmarrëveshjet për fondet buxhetore për oficerët e policisë gjyqsore që ligji ju njeh detyrimin për t’i rekrutuar, proces që duhej të ishte mbyllur prej kohësh dhe që ndoshta është edhe një nga arsyet përse flitet për mbingarkesë në punën e prokurorëve të këtij institucioni.

Të gjithë po flasim, strategjia ndërsektoriale për drejtësinë e miratuar nga qeveria gjithashtu e ka të mirëpërcaktuar faktin se dy nga instrumentat kryesore për përmirësimin e situatës me vakancat e krijuara në gjykata e prokurori janë rritja e numrit të studentëve në Shkollën e Magjistratturës dhe harta e re gjyqësore.

Mirëpo siç doli nga seancat dëgjimore me institucionet përkatëse buxheti ka pak reflektime në këtë aspekt pasi ende nuk ka një përllogaritje të qartë të efekteve që ndryshimi i hartës sjell në terma afatshkurtër dhe afatmesëm, në nevojat për mbështetje logjistike e financiare si dhe asnjë angazhim për mbështetje me fonde shtesë për Shkollën e Magjistraturës për rritjen e ndjeshme të numrit të studentëve. Përgjigja e burokratëve të buxhetit është se do ta rishohim me ndryshimet e buxhetit në mesin e vitit!!

Po e njëjtë është edhe qasja për një premtim shumëvjecar nga qeverisja jonë e që lidhet me kushtet e punës së Gjykatës së Lartë. Mjediset aktuale aty janë në gjendjen më të keqe të mundshme për të përballuar volumin e jashtazakonshëm të punës prej saj dhe përsëri nuk gjendet një fond fillimisht për hartimin e projektit të ndërtimit për gjykatën e re. E kur nga zgjidhja e re për GjL do të kishim një efekt zinxhir pozitiv për funksionimin shumë më të mirë të GjK dhe vet Kuvendit.

Nga ana tjetër, s’mund ta kuptoj dot se si për 30 oficerë të policisë gjyqsore në kushtet e mbingarkesës së punës në prokurori duhet të presin 3 vjet t’ju plotësohet kjo kërkesë apo që për një ndërhyrje të thjeshtë në kuadrin ligjor prokuroria duhet të vazhdojë odisen shumëvjecare të pagesave për shërbimet që marrin nga institucionet e tjera të këtij shteti.

Një absurditet i papranueshëm në qasjen ndaj këtyre problematikave të rëndësishme për funksionimin e sistemit sot, por edhe për vet raportin me institucionet e reja të pushtetit të pavarur të drejtësisë.

Duke vënë theksin te pavarësia edhe në këtë fushë nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër po aq të rëndësishme, përgjegjshmërin e vet institucioneve në buxhetimin e sistemit, në hartimin e kërkesave dhe administrimin e tij. Problematika të tilla nuk janë vetëm çështje vizioni e këmbëngulje nga drejtuesit e këtyre institucioneve, por besoj se parasëgjithash duhet të ndryshoj politikbërja për konceptimin, diskutimin dhe miratimin e buxhetit për këto institucione në rivlerësimin e funksionimit të mekanizmit trepalësh qeveri – kuvend – institucione të sistemit të drejtësisë.

Në përmbyllje dua të jem shumë i drejtëpërdrejtë me drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë.  Njerëzit e këtij sistemi, prokurorët dhe gjyqtarët por edhe ekipet e këshillave drejtuese e inspektuese dhe stafet e tyre mbështetëse duhet të kuptojnë shumë më mirë se deri më sot përgjegjsinë e tyre ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit.

E ritheksoj edhe njëherë dhe duhet ta ridëgjojnë që mos e harrojnë : Ata janë sot njerëzit më të paguar në këtë vend!

Krahas garancive për pavarësinë e plotë vendimmarëse e funksionale, kjo është një nga risitë kryesore të reformës në drejtësi. Padyshim një zgjidhje shumë e drejtë për misionin dhe përgjegjësinë që ato kanë në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Nuk janë dhuratë e askujt, janë para, investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi  që kanë ende pritshmëri të larta nga sistemi i ri i drejtësisë.

Me shpresën për më shumë përgjegjshmëri, më shumë transparencë dhe kryesorja më shumë rezultate konkrete në dhënien e drejtësisë, në shërbimet ndaj qytetarëve, në luftën kundër krimit të organizuar dhe vecanërisht pandëshkueshmërinë korruptive në nivelet e larta.

Besimin, mbështetjen dhe këtë buxhet të madh e keni, andaj është koha të veproni të justifikoni besimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që keni marrë dhe merrni çdo ditë nga njerëzit progresistë të këtij vendi, nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar!

Koha për të kthyer drejtësinë e munguar, për të bërë drejtësi, për barazi para ligjit!

Ju faleminderit!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re